Gazetari, Xhoi Malësia, kallëzon penalisht policinë: Mu privua liria, sjellja e efektivëve e padenjë
Gazetari dhe moderatori i Televizionit Ora, Xhoi Malësia, nën përfaqësimin e Komitetit Shqiptar të Helsikit, ka depozituar në Prokurori një kallëzim penal për Policinë e Shtetit. Në dëshmi, ai pretendon se shoqërimi nuk është bërë mbi bazën e legjislacionit dhe se liria i është mohuar në mënyrë të paligjshme. Në fjalën e tij, gazetari ka falenderuar kolegët për mbështetjen si dhe organizatat ndërkombëtare të gazetarëve, përfshirë Reporterët pa Kufij.
Dy ditë pas shoqërimit të dhunshëm në ambientet e Komisariatit Nr. dy të Tiranës, gazetari Xhoi Malësia, ka kallëzuar penalisht Policinë e Shtetit.
Pas dëshmisë prej afro dy orësh, ai është shprehur se gjatë shoqërimit të tij janë shkelur një sërë procedurash ndaj edhe vlerëson i është privuar liria në mënyrë të paligjshme, ndërsa sjelljen e efektivëve të policisë e cilësoi të padenjë, në shkelje të protokolleve të shoqërimit si dhe në shpërdorim total të detyrës.
"Përsa i përket pretendimeve tona ne mendojmë se ka patur një heqje të paligjshme të lirisë dhe trajtim në kushte shproporcionale. Gjithashtu, ka patur shkelje të lirive themelore të njeriut pasi më është mohuar edhe një telefonatë gjatë kohës të qëndrimit. Besimi tek policia e shtetit më është zbehur ndjeshëm. Shpresoj që prokuroria të më kthejë besimin te institucionet shqiptare. Nuk flas vetëm për vete flas për të gjithë kolegët pasi një natë më parë është dhunuar një tjetër koleg dhe kjo situatë nuk mund të vazhdojë e tillë."
Xhoi Malësia falenderoi kolegët, organizatat vendase dhe ato ndërkombëtare për mbështetjen.
"Dua të them që është një hetim shumë i rëndësishëm dhe dua të falenderoj pa masë një nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, siç është "Reporterët pa Kufi", dua të falenderoj gjithashtu edhe mbështetjen e "Unionit të Gazetarëve në Shqipëri" dhe të gjitha organizatat e tjera që kanë reaguar."
Pas kallëzimit, tashmë i takon prokurorit që të përcaktojë nëse incidenti ka patur ose jo konsum të veprave penale, fokusuar tek shpërdorimi i detyrës.
Ndërkohë, avokatët pretendojnë se shkeljet janë të rënda si në aspektin penal, ashtu edhe në qasjen civile të gazetarit.
Gjithashtu, përfaqësuesit ligjorë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit theksojnë se do të ndjekin çdo procedurë administrative dhe gjyqësore, deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
