34-vjeçarja e vrarë nga kunati mbrëmjen e së martës në Bathore, por edhe autori kishin urdhër mbrojtje nga Gjykata, por duket se ai nuk është zbatuar. Familjarët thonë se ngjarja mund të ishte parandaluar, pasi vetëm pak momente para  policia ishte në shtëpinë e  tyre për të ndarë sherret që ishin bërë të zakonshme. Ndërsa autori Agron Tanushi u kap pas disa orësh në Lushnje.

Vrasja e Jetmira Hasanit, 34-vjeçares që u ekzekutua nga kunati i saj Agron Tanushi mbrëmjen e të martës, mund të shmangej.

Viktima dispononte udhër mbrojtje, i cili është miratuar nga gjykata me 15 korrik të këtij viti dhe kishte fuqi deri në 15 dhjetor.

Por edhe autori së bashku me familjen kishte një urdhër të tillë dhe të dyja palët ishin urdhëruar të mos i afroheshin, të mos kërcënonin, fyenin apo cenonin njëri-tjetrin.

Por siç duket ky urdhër nuk është respektuar nga palët, pasi pasditen e të martës sherri mes viktimës dhe autorit degradoi deri në përdorimin e armëve.

Familjarët e viktimës, fajësojnë policinë, pasi sipas tyre kanë qenë disa minuta para ngjarjes tek shtëpia në Bathore, por më pas janë larguar.

Hasani: Ka qenë kunata duke e ndihmuar për të marrë plaçkat, ka qenë prezent policia se është njoftuar për të ardhur por policia nuk ka kryer funksionet e veta. Mund të shoqëronte autorin që u kthye në vrasës dhe mund të kryente kontrollin e banesës ku do të gjente armën dhe shmangej vrasja.

Rajmond Hasani në një prononcim ekskluziv për Ora Neës apelon shtetin që ti japë dënimin maksimal.

Hasani: Të hetohet dhe gjykohet, dënimin maksimal për të.

E gjithë ngjarja ka ndodhur në prani të vajzës 8-vjeçare të viktimës, ndërsa autori është larguar menjëherë nga banesa pas kryerjes së krimit.

Pas kontrolleve nga ana e policisë, mësohet se autori është arrestuar në qytetin e Lushnjes, ku dhe është fshehur për disa orë.

Një ditë pas vrasjes së Jetmira Hasanit nga kunati Agron Tanushi, policia vijon të jetë në vendin e ngjarjes, për të shmangur ndonjë tjetër konflikt të mundshëm mes familjeve.

Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 17:40, kur viktima kishte planifikuar të largohej nga banesa, së bashku me plaçkat e saj.

Siç duket kjo ka nxitur dhe konfliktin e radhës mes kunetërve, për të mbërritur deri tek vrasja e 34-vjeçares.

Fqinjët jashtë kamerave shprehen të tmerruar për ngjarjes e rëndë, por refuzojnë të japin detaje për konfliktet, për të cilat kanë qenë dëshmitarë disa herë.

Në foto: Urdhri i mbrojtjes për Jetmira Hasanin
Në foto: Viktima, Jetmira Hasani

Lexo edhe: E rëndë në Tiranë: I riu vret kunatën ndërsa vëllanë e kishte në emigrim, arratiset