Forcohet dekriminalizimi, nëse je i dënuar në një nga këto shtete nuk mund të kandidosh në zgjedhje
Pas rasteve të shkarkimit dhe vënies para drejtësisë të disa të zgjedhurve vendore apo ligjvënës, një tjetër ndryshim kërkohet të bëhet në ligjin për ndalimin e atyre që kandidojnë për deputetë apo pushtetin vendor dhe që kanë një vendim gjykate të formës përfundimtare jashtë vendit. Listës i shtohen edhe 8 vende të tjera jashtë Bashkimit Evropian ku ka një numër të kosndierueshëm shqiptarësh. Propozimi pritet të diskutohet në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Ndërsa partitë politike pritet që të nisin hartimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit 2021, Kuvendi pritet të diskutojë mbi rregullat e ndalimit të kandidimit dhe zgjedhjes së një funksionari të lartë publik.
Sipas një projektligji të depozituar në Kuvend në ditët e fundit të 2020, do të ndalohet kandidimi dhe zgjedhja deputet në Kuvendin e Shqipërisë apo edhe në pushtetin vendor i atyre pesonave që janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, jo vetëm në vendet e Bashkimit Evropian, SHBA, Kanada, Australi.
Lista tashmë propozohet të shtohet me 8 vende të tjera. Në nenin 2 të ligjit të miratuar në vitin 2015 “për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” propozohet të shtohen edhe vende të tilla si Zvicra, Norvegjia, Islanda, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova.
Të gjithë ata shtetas që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i këtyre vendeve, por edhe ata që kanë një vendim dëbimi nga territori i këtyre shteteve nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut.
Propozimi është bërë në Kuvend nga deputeti i opozitës së re Vasil Sterjovcki dhe pritet të diskutohet me nisjen e sesionit të ri. Deputeti e jusitfikon këtë propozim me argumentin se në këto vende ka një komunitet të konsiderueshëm emigracioni shqiptar.
Po ashtu ky ndryshim merr shkas edhe nga rastet e disa të zgjedhurve vendore që shkuan para gjykatave dhe lanë mandatet për shkak të dënimeve të mëparshme.
S’lejohen të zgjidhen ata që janë dënuar me një vendim gjyqësor nga një autoritet
a)i një shteti anëtar të BE-së
b) SHBA-së
c) Kanadasë
ç) Australisë
d) Zvicrës
dh) Norvegjisë
e) Islandës
f)Serbisë, Malit të Zi
g) Maqedonisë së Veriut
gj) Bosnje dhe Hercegovinës
h) Kosovës
