Fandi: Gjobat nuk mjaftojnë, qytetarët duhet të respektojnë masat, pas infektimeve imuniteti rikativizohet në kontakt me virusin
Në një intervistë për gazetaren Matilda Mcini në Ora News, mjeku Adrian Fandi u shpreh se në vendin tonë ligji për masat anti-covid ekziston , por nuk respektohet nga qytetarët.
Sipas Fandit, personat që nuk kanë simptoma, por e kanë virusin, nuk duhet të dalin dhe të lëvizin, pasi nuk e dinë se kujt mund t'ia ngjisin virusin.
Fandi: Ligji është, por kjo duhet respektuar nga qytetarët, sepse nuk mund të vihet maska vetëm kur shikon policin. Shteti mund të vijë gjoba dhe masa për respektin e tyre. Prandaj kjo është edhe një përgjegjësi personale në raport me infektimin që duhet të kenë kujdes të gjithë. Në këtë rast është më mirë që frika të ruajë vreshtin apo që të ruajnë veten? Unë kam parë shumë njerëz që në Shqipëri dalin jashtë kur janë të infektuar. Kjo është e keqja, sepse ndoshta nuk ke simptoma, por ama mund të infektosh të tjerët në ambientet që shkon.
Unë jam infektuar fiks një vit më parë dhe u shtrova në spital. Nuk arrija të merrja frymë dhe me zor kam bërë rrugën nga dera e spitalit te spitali. Kam pritur me padurim që të shkoja në shtëpi. Aso kohe nuk kishte terapi për covidin dhe unë kam marrë oksigjen për 5 ditë dhe dola jashtë më pas dhe e mora veten avash-avash. Covidi të lë me mungesë forcash, por gjithë kësaj kohe jam mundur që të ndihmoj personat që janë të infektuar me covid. Dikur thanë se imuniteti zgjat 2, 6 apo 9 muaj, ndërsa tani është bërë gati 12 muaj. Unë kam bërë testet për anti-trupa dhe imuniteti im vazhdon që të jetë i lartë. Unë po pres që të bëj vaksinën, por preferoj që t'ia jap këtë mundësi dikujt tjetër.
Fandi shtoi se janë dhënë periudha të ndryshme në raport me imunizimin, or sipas të dhënave personat që janë personel mjekësor kanë krijuar imunitet për shkak të ekspozimit me këtë virus.
Fandi: Duke parë nivelin e antitrupave, sidomos me njerëzit që punojnë me njerëz me Covid, është parë që imuniteti të riaktivizohet. Prandaj kur futen një pjesë e vogël e virusit, imuniteti aktivizohet sikur të kishin marrë vaksinën. Personat që punojnë në spitale zakonisht nuk sëmuren nga gripi ose sëmundjet virale, sepse kanë qenë në kontakt me persona që kanë pasur infektime të tilla. Sigurisht që kjo gjë ndikon në imunitetin e personelit mjekësor. Nga ana tjetër, është një gjë shumë e mirë fakti që janë siguruar aq shumë vaksina, sepse BE kishte parashikuar vaksina vetëm për vendet anëtare. Shumë vende të mëdha po kanë probleme në raport me këtë proces edhe pse janë të zhvilluara.
