Gjykata Speciale e Kosovës ka ekzekutuar arrestimin e një tjetër veterani të Ushtrisë Çlirimtare të vendit me pretendimin për krime gjatë dhe pas luftës me Serbinë mbi 20 vite më parë.

Hysni Gucati, kreu i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së u shoqërua të premten dhe pritet të transferohet drejt Dhomave të Specializuara të Hagës.

Zyrat e organizatës u bastisën paradite nga trupat e “EULEX-it”, një mision i vendosur në vend nga Bashkimi Europian dhe që po ndihmon operacionet e Gjykatës Speciale.

Sipas sekretarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, dhe kryetarit të familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jasharaj, hyrja në ambiente e hetuesve u krye pa paralajmërim.

“Unë isha duke pirë kafe tek organizata e familjeve të dëshmoreve dhe kur dola e pash korridorin të mbushur ne nuk po shohin që kanë ndonjë konsultim me shtetin e Kosovës dhe sigurisht ne kërkuam të di se a kanë leje dhe ai më tha se e kanë lartë dhe nuk më lejuan të shkoj dhe iu thash se jeni duke vepruar si në kohën e ish Jugosllavisë”, tha Klinaku.

Prej ditësh organizata që Gucati drejtonte po siguronte në mënyrë të vazhdueshme mijëra dokumente komprometuese për pjesëtarët e Gjykatës, të siguruara nga persona anonimë.

Sipas tij, në to paraqiteshin komunikimet e ndërkombëtarëve me prokurorinë serbe, me gjykatën atje për krime lufte dhe me zyrtarë të tjerë të aparatit shtetëror të ish-Jugosllavisë.

Organizata e Veteranëve mendon se Dhomat e Specializuara po punojnë kundër tyre dhe po anashkalojnë krimet e kryera nga pala serbe në vend.

Arrestimi i Gucatit vjen një ditë pasi Gjykata Speciale e Kosovës njoftoi zyrtarisht aktakuzën ndaj alih Mustafës.

Mustafa, ish-komandant i UÇK-së, u bë personi i parë që ndalohet nga Prokuroria Speciale me akuzën e “trajtimit mizor, torturave dhe vrasjeve të paligjshme, si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë në prill të vitit 1999.

Gjykatësi i procedurës paraprake e kishte konfirmuar aktakuzën kundër Mustafës më 12 qershor të këtij viti, por vendimi nuk ishte bërë publik në atë kohë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019.

Më 24 qershor, prokurorët e specializuar njoftuan akuza edhe ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Pretendimet ndaj tyre duhet të konfirmohen ose rrëzohen në Hagë brenda muajit tetor.

LEXO EDHE: EULEX-i bastisje në zyrat e OVL të UÇK-së