Implant i ri cerebral për zbulimin dhe luftimin e kancerit të trurit

Kompania startup nga San Françisko, “Coherence Neuro”, ka testuar për herë të parë tek njerëzit një implant cerebral të projektuar për të zbuluar dhe trajtuar tumoret e trurit.
Pajisja, e cila ka lidhje me ekspertë të “Neuralink”, u vendos përkohësisht në trurin e tre pacientëve gjatë operacioneve për heqjen e tumoreve në Spitalin Mbetëror të Melburnit, në Australi, sipas “New York Times”.
Implanti, me madhësinë e një monedhe, qëndroi rreth 30 minuta në trurin e pacientëve për të verifikuar sigurinë dhe funksionimin e tij.
Pajisja është një ndërfaqe tru-kompjuter (BCI) që synon të identifikojë sinjalet elektrike karakteristike të tumoreve dhe të japë stimulim elektrik me intensitet të ulët për të penguar rritjen e tyre.
Sipas drejtuesve të kompanisë, tumoret e trurit kanë veti elektrike të veçanta dhe mund të ndikohen nga stimulimi elektrik.
Studime të mëparshme kanë treguar se disa tumore agresive krijojnë lidhje me neuronet e shëndetshme për të nxitur rritjen e tyre, ndërsa ndërhyrjet elektrike mund të ngadalësojnë përhapjen e qelizave kancerogjene.
“Coherence Neuro” po synon fillimisht trajtimin e glioblastomës, forma më agresive e kancerit të trurit, e cila ka një shkallë të lartë rikthimi pas operacionit dhe një prognozë të rëndë për pacientët.
Përveç stimulimit elektrik, implanti është projektuar të monitorojë vazhdimisht aktivitetin e tumorit dhe të dërgojë të dhëna te mjekët përmes një aplikacioni, duke mundësuar përshtatjen e trajtimit në kohë reale.
Kompania planifikon të nisë vitin e ardhshëm një provë klinike ku pacientët me glioblastomë do ta mbajnë implantin në mënyrë të përhershme, me shpresën se teknologjia do të ndihmojë në zbulimin më të hershëm të rikthimit të tumorit dhe në përmirësimin e trajtimit të kësaj sëmundjeje të rëndë.

