Shkenca konfirmon: Muzika mund të ngadalësojë plakjen e trurit

Dy studime të publikuara në revista shkencore ndërkombëtare, sugjerojnë se praktikimi i muzikës mund të ketë ndikim pozitiv në funksionet e trurit gjatë plakjes, duke ndihmuar në ruajtjen e kujtesës dhe efikasitetit të përpunimit të informacionit, edhe në moshë të avancuar.
Studimi i parë, i publikuar në revistën “PLOS Biology” nga shkencëtari kinez, Lei Zhang dhe bashkëautorët e tij, analizoi të moshuar që kanë ushtruar muzikë për dekada.
Sipas gjetjeve, këta individë shfaqnin aktivitet më efikas të trurit, gjatë dëgjimit të të folurit në ambiente me zhurmë, duke bërë që truri të shpenzoje më pak energji, krahasuar me bashkëmoshatarët jo-muzikantë.
Studiuesit theksojnë se kjo sugjeron një “organizim më të rinovuar” të rrjeteve nervore të dëgjimit.
Studimi i dytë, i publikuar në “Imaging Neuroscience” nga neuroshkencëtarja japoneze, Xueyan Wang dhe ekipi i saj, ndoqi një grup të rriturish rreth moshës 73 vjeç , që mësuan një instrument muzikor për katër muaj.
Pas katër vitesh, ata që vazhduan praktikën shfaqën kujtesë më të mirë verbale, si dhe më pak tkurrje në rajonin e trurit të quajtur “putamen”, i cili lidhet me lëvizjen, të nxënit dhe kujtesën.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto gjetje nuk nënkuptojnë se muzika parandalon demencën.
Sipas tyre, të dhënat sugjerojnë vetëm se praktikimi afatgjatë i muzikës, mund të ndihmojë në ruajtjen e funksioneve njohëse dhe strukturës së trurit.
Në përfundim, ekspertët theksojnë se muzika, mund të jetë një nga aktivitetet që mbështet “rezervën njohëse” -aftësia e trurit për të rezistuar ndaj plakjes ose dëmtimit – por nevojiten më shumë studime afatgjata, për të kuptuar plotësisht ndikimin e saj në plakjen njerëzore.


