Rama: Kalimi në turizmin e resorteve me 5 yje, domosdoshmëri ekonomike dhe gjeostrategjike

Kryeministri Edi Rama ndau sot statistika mbi rritjen e numrit të turistëve në Lezhë, ku regjistrohen 15% më shumë turistë krahasuar me një vit më parë.
Rama ndau të dhënat e publikuara nga kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, ndërsa theksoi se këto nuk janë thjesht shifra, por është Lezha që nuk ndalet dhe Shqipëria që nuk ndalet.
Prandaj, sipas Kryeministrit, edhe kalimi në një nivel tjetër, me turizmin e resorteve me 5 yje është jo vetëm domosdoshmëri ekonomike, po edhe gjeostrategjike.
Sipas të dhënave të publikuara nga kryebashkiaku Ndreu, përveç vizitorëve vendas dhe shqiptarëve nga Kosova, këtë vit në Lezhë vihet re një prani më e madhe se kurrë e turistëve nga shumë vende të Europës.
Turistët e huaj që kanë vizituar bregdetin e Shëngjinit gjatë kësaj periudhe përbëjnë rreth 20% të totalit të vizitorëve dhe vijnë kryesisht nga Gjermania, Polonia, Italia, Çekia, Austria, Zvicra, Rumania, Ukraina, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Suedia.
Sipas të dhënave të mbledhura nga bizneset turistike turistët gjermanë përbëjnë grupin më të madh, me rreth 20% të turistëve të huaj.
Në vijim janë turistët polakë 15%; turistët italianë 10%; turistët çekë 10%; dhe pjesa tjetër përbëhet nga vizitorë nga vende të tjera europiane.
Këto shifra konfirmojnë rritjen e interesit për Lezhën dhe Shëngjinin si destinacione turistike gjithnjë e më të preferuara në rajon dhe më gjerë.


