Një minator 49-vjeçar, baba i tre vajzave, humbi jetën duke punuar në galeritë e një miniere private në zonën D në Bulqizë. Fiqiri Karaj u bë viktima e parë në nëntokë për këtë vit, ndërsa 5 kolegë të tij humbën jetën në miniera në vitin 2019. Policia dhe struktura të tjera kanë nisur verifikimin e zbatimit të kushteve teknike nga kompania private.

Nëntoka e Bulqizës vijon të marrë jetë njerëzish. Një minator 49 vjeçar gjeti vdekjen këtë të mërkurë, 24 shkurt 2021, në një galeri private  në atë që njihet si Zona D.

Viktima është identifikuar si Fiqiri Karaj. Sipas burimeve ai po punonte në një minierë kromi, ku një masiv i mineralit është shkëpur dhe e ka zënë poshtë.

Minatori 49 vjeçar, babai i tre vajzave, mësohet se ka marrë plagë të rënda dhe ka humbur jetën menjëherë brenda galerisë.

Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Spitalit të Bulqizës dhe më pas i është kthyer familjes së minatorit.

Policia thotë se ka nisur një hetim për vdekjen e minatorit brenda minierës private.

Për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen tragjike, pjesë e verifikimit janë edhe specialistët e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera.

Minierat janë një nga vendet më të rrezikshme të punës në Shqipëri, pasi në vazhdimësi ka aksidente të rënda me humbje jetë.

Të paktën 5 minatorë kanë humbur jetën përgjatë vitit 2020 në galeri, ku aksidenti më i rëndë u në Selishtë të Dibrës me tre viktima.

Në 5 vitet e fundit, përllogaritet se 30 minatorë kanë humbur jetën dhe dhjetra të tjerë janë plagosur nga aksidentet në galeri.