Ekopolitikë, opozita hetim investimeve, Mima: Është abuzuar me fondet, gati nismat ligjore
Opozita hedh hije të forta dyshimi për mënyrën sesi qeveria i ka realizuar investimet publike në 15 ditëshin e fundit të dhjetorit. Ish-ministri i Ekonomisë, Florjon Mima, deklaron në studion e emisionit Ekopolitikë të gazetares Aurora Sulçe, se do të ndërmerren nisma ligjore, duke mos përjashtuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor, pasi abuzimet me fondet publike kanë qenë të mëdha. Debate në studio mes Mimës dhe deputetes Blerina Gjylameti ka pasur edhe për mënyrën sesi qeveria po drejton ekonominë
Opozita do të kërkojë hetim për investimet publike, të kryera në 15 ditëshin e dytë të dhjetorit, sipas saj abuzive nga qeveria për të realizuar planin. Ish-ministri i Ekonomise, Florjon Mima, ka deklaruar në studion e emisionit Ekopolitikë te gazetares Aurora Sulçe, se do të ndërmerren nisma ligjore, për të hetuar investimet dhe subjektet që i kanë përfituar, duke hedhur hije te forta dyshimi për mënyrën se si janë shpërndarë fondet.
Florjon Mima : “Vetëm në 15 ditët e fundit janë realizuar 300 milionë të tjera, gjë që ne e kemi dyshuar fort dhe do ta investigojmë. Ne dyshojmë që janë përdorur instrumenta të paligjshëm që nga letërkredia, që nga pagesat në avancë që ka, deri te hapja e llogarive të veçanta pranë Bankës së Shqipërisë. Ne dyshojmë shumë fort që 92%-shi është i pavërtetë, çka e shton akoma më shumë mungesën e këtyre parave në ekonomi”.
Gjatë emisionit është diskutuar për rolin e Bankës së Shqipërisë në zhvillimin e ekonomisë dhe nëse politikat e janë të kordinuara me ato te qeverisë. Në studio nuk kanë munguar debatet mes deputetit demokrat, Mima, dhe deputetes socialiste, Blerina Gjylameti.
Blerina Gjylameti : “ Në krahasim me qeverinë që ishte, ne jemi qeveri që ka bazë reformat strukturore. Reforma strukturore është edhe pjesa që shkakton rritje ekonomike të qëndrueshme në Shqipëri. Ju e kishit lënë sektorin energjitik me borxhe pafund, ne i gjetëm borxhet tuaja dhe po i shlyejmë dhe po arrijmë të kemi një ndryshim në krahasim me ju
Florjon Mima : “ Ju keni krijuar 90 milionë dollarë borxhe karshi hidrocentraleve private sepse nuk po i likuidoni”.
Opozita ka akuzuar qeverinë se ka qenë perfituese kryesore e vendimeve të Bankës së Shqipërisë për të ulur koston e lekut, duke e blerë më lirë borxhin nga bankat vendase dhe duke kufizuar kështu mundesinë e kreditimit të biznesit dhe qytetarëve.
