VIDEO/ Koçiu takon të rinjtë ekselentë: Shqipëria 2030, vizion për mundësi europiane dhe mbështetje për të rinjtë

VIDEO/ Koçiu takon të rinjtë ekselentë: Shqipëria

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu zhvilloi sot një takim me të rinj ekselentë, ku diskutoi mbi mundësitë për arsimim, punësim dhe zhvillim profesional në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030”.

Në fjalën e saj, Koçiu theksoi se Shqipëria europiane nuk është thjesht një objektiv politik, por një angazhim për të ndërtuar një vend që u përgjigjet ëndrrave, meritës dhe ambicieve të të rinjve.

“Jemi duke punuar për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë e standardeve, me qëllimin që Europa ta kemi këtu, në vendin tonë. Të kemi të njëjtat standarde, të njëjtat shkolla, të njëjtën cilësi mësimdhënieje, të njëjtat mundësi punësimi dhe të njëjtat paga si në vendet europiane”, u shpreh Koçiu.

Ajo nënvizoi se vendi po ofron gjithnjë e më shumë mundësi për të rinjtë, jo vetëm në arsim dhe formim profesional, por edhe përmes zhvillimit ekonomik dhe rritjes së sektorëve si turizmi.

“Sot jemi në Shqipërinë e 12 milionë turistëve dhe kjo sjell zhvillim ekonomik e më shumë mundësi për të rinjtë”, tha ajo.

Koçiu u ndal edhe te programet mbështetëse për të rinjtë, duke përmendur fondin prej 3 milionë eurosh në kuadër të Garancisë Rinore, që synon të ofrojë mundësi punësimi dhe formimi profesional për të rinjtë në kërkim të punës.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e programit të startup-eve, i cili sipas saj është trefishuar në numër aplikimesh dhe ofron grante nga 5 mijë deri në 50 mijë euro për të rinjtë me ide inovative.

Në takim u prezantuan edhe mundësitë për praktika pune në administratën publike për të sapodiplomuarit, përmes programeve që synojnë fitimin e eksperiencës profesionale dhe integrimin në tregun e punës.

“Programi i praktikave në administratën publike u jep mundësi të rinjve të mësojnë nga afër funksionimin e institucioneve dhe më pas të kenë mundësi punësimi. Për herë të parë, praktikantët përfitojnë edhe pagesë mujore”, u shpreh Koçiu.

Zëvendëskryeministrja u bëri thirrje të rinjve të mos bien pre e skepticizmit dhe të besojnë te puna, dija dhe përpjekja për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri.

“Ata që janë skeptikë dhe qëndrojnë pasivë janë ata që kanë frikë të guxojnë. Duhet guxim dhe përballje për të ecur përpara dhe për ta zhvilluar vendin bashkërisht”, deklaroi Koçiu.

EMISIONET