Tendera problematikë në Mat/ Në 4 vite, Agron Malaj dha 3 prokurime me negocim të drejtpërdrejtë
Bashkia e Matit gjatë drejtimit të Agron Malajt, ka dhënë 3 tendera me negocim të drejtpërdrejtë pa shpallje paraprake. Në dy nga prokurimet fituese është shpallur e njëjta kompani ndërsa këto forma janë kritikuar prej organizmave monitoruese.
Tenderët me negocim të drejtpërdrejtë të cilët janë kundërshtuar fort nga ndërkombëtarët dhe qeveria, nuk mungojnë as në Bashkinë e Matit.
Institucioni që drejtohet nga Agron Malaj, gjatë mandatit të tij ka kryer të paktën 3 prokurime të tilla.
Madje në dy prej tyre janë dhënë pa shpallje paraprake të njoftimit dhe kompania fituese është e njëjtë. Blerja e produkteve ushqimore i është dhënë kompanisë “ERDIS”, e cila kishte kërkuar sa 99.9% të vlerës së fondit.
Dhe po i njëjti subjekt ka marrë edhe blerjen e detergjentëve por këtë herë ka kërkuar sa 98.9% të vlerës së prokurimit për të realizuar punën.
Ndërsa një tjetër rast është blerja e materialeve mjekësore dhe dezinfektimi të ambienteve publike në Bashkinë Mat.
Prokurimi i është dhënë kompanisë “HOREAL Expo Group” e cila kishte kërkuar sa 98.7% të vlerës së tenderit për të blerë materialet.
Në fakt denoncimet në media për prokurimet pa garë apo me negocim kanë qenë tejet të shpeshta.
Por pas tyre edhe kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar me vetë kryebashkiakët ka kërkuar të ndalen rastet e tenderave pa garë apo ato me negocim.