Rrugët që vetëm hanë lekë/ Riparimi i aksit Qafë-Dushk - Sevaster, ARRSH skualifikoi ofertën e arsyeshme

Riparimi i shembjes që ka ndodhur në aksin Qafë Dushk-Sevaster do të kushtojë 200 mijë euro. Nga 5 kompani që kishin shfaqur interes, ARRSH ka skualifikuar ofertën më të arsyeshme ndërsa fitues shpalli kompaninë që kërkoi rreth 10 mijë euro më shumë.

Standardi i dobët i punimeve në akset rrugore në vendin tonë vijon të hajë lekë nga buxheti i shtetit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, do të shpenzojë 200 mijë euro të tjera për riparimin e shembjes që ka ndodhur në aksin Qafë Dushk-Sevaster.

Ky segment është pjesë përbërëse e aksit të vjetër rrugor ndërqytetas Vlorë – Tepelenë.

Në vitin 2013 i është nënshtruar një rikonstruksioni të thellë duke përfshirë edhe zgjerimin, por që mesa duket rrëshqitjet masive kanë rinisur.

Përpos kësaj, në procedurën që ka bërë ARRSH, bie në sy që është skualifikuar oferta më e arsyeshme.

Për kontratën kishin shfaqur interes 5 kompani dhe fituese është shpallur “ERAL CONSTRUCTION COMPANY” dhe “DENIS-05” që kishte kërkuar sa 80% të fondit që parashikohet të shpenzohet.

Ndërsa bashkimi i operatorëve “Rrugë Sinjalistikë Mirëmbajtje dhe Hidro Company” dhe “ DESARET COMPANY” që mund ta kishte realizuar punën me rreth 10 mijë euro më pak, është përjashtuar nga gara.

Arsyeja sipas institucionit që drejtohet nga Evis Berberi, është sepse subjekti në fjalë nuk ka paraqitur dëshmi të mëparshme për punë të ngjashme.

tendera tender arrsh rrugët qafë dushk sevaster

EMISIONET