Përcaktohen rregullat për organizimin e vullnetarizmit nga personat me veprimtari fitimprurëse

Këshilli i Ministrave përcaktoi rregullat dhe procedurat për plotësimin dhe shqyrtimin e kërkesës për organizimin e vullnetarizmit nga personi juridik fitimprurës.
Sipas këtij vendimi, çdo person juridik, vendas apo i huaj, i regjistruar, që kryen veprimtari fitimprurëse dhe kërkon të ofrojë vullnetarizëm në Shqipëri përpara fillimit të programit të vullnetarizmit, depoziton pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (në vijim AKPA) kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues online, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, për miratimin e programit.
Kërkesa shoqërohet me përshkrimin e programit dhe objektivat e tij; fushën e veprimtarisë dhe përfituesit e synuar; planin e angazhimit të vullnetarëve, me përcaktimin e kohëzgjatjes dhe detyrave; si dhe masat për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Po ashtu kërkesa shoqërohet me planin e trajnimit dhe mbështetjes së vullnetarëve si dhe mekanizmat e monitorimit dhe raportimit të programit.
AKPA-ja shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues, dhe në rast dokumentacioni të paplotë kërkon plotësimin e tij brenda një afati 5-ditor.
Po ashtu, AKPA-ja verifikon përputhshmërinë e programit me kushtet e përcaktuara në ligjin “Për vullnetarizmin”, si dhe shprehet me miratimin ose refuzimin e arsyetuar të kërkesës.

