Pedagogët e Arteve nisin bojkotin nesër në orën 10:00: Po cënohen të drejtat tona

Pedagogët e Arteve nisin bojkotin nesër në orën 10:00: Po

Pedagogët e Universitetit të Arteve kanë paralajmëruar nisjen e një bojkoti ditën e nesërme në orën 10:00, në shenjë proteste ndaj asaj shkeljeve të vazhdueshme dhe mosrespektim të vendimeve institucionale brenda universitetit.

Përfaqësues të trupës akademike shprehen se drejtuesit e universitetit nuk po zbatojnë vendimet e komisioneve të promovimit dhe të Senatit Akademik, duke bllokuar proceset e avancimit të stafit me tituj të rinj akademikë.

“Jemi përballë një situate të papranueshme, ku vendimet zyrtare nuk zbatohen dhe të drejtat tona si pedagogë shkelen në mënyrë të vazhdueshme. Kjo është arsyeja pse jemi detyruar të ndërmarrim këtë hap ekstrem,” u shprehën pedagogët.

Ata ngritën gjithashtu shqetësimin për detyrimin e pedagogëve që të ndjekin studimet e doktoraturës, pavarësisht vendimeve të mëparshme dhe procedurave të përfunduara për promovim.

Pedagogët theksuan se, nëse situata nuk merr zgjidhje, bojkotit mund t’i bashkohen edhe forma të tjera proteste, ndërsa kërkuan ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve përgjegjëse.

Në mbështetje të tyre është shprehur edhe Sindikata e Punonjësve të Universiteteve, e cila u ka bërë thirrje autoriteteve që të reagojnë për të zgjidhur krizën dhe për të garantuar respektimin e ligjit dhe të drejtave të stafit akademik.

EMISIONET