Ndërtimi, rekord të ardhurash në vitin 2021: Biznesi siguroi rreth 3 miliardë euro
Sektori i ndërtimit ka pasur një aktivitet të vrullshëm vitet e fundit, e raportuar kjo edhe nga të dhënat e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve të INSTAT. Edhe numri i kompanive është shtuar ndjeshëm.
Sipas INSTAT, në vitin 2021, të ardhurat totale të sektorit arritën rekordin e 329 miliardë lekëve, ose gati 2.9 miliardë euro. Në krahasim me vitin e mëparshëm, të ardhurat janë rritur me gati 20%.
Rreth një e treta e këtij sektori nxitet nga investimet publike. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, shpenzimet kapitale, pjesa më e madhe e të cilave shkon për financimin e rrugëve, apo ndërtimeve të tjera publike, ishin rreth 127 miliardë lekë në vitin 2021, duke përfshirë dhe fondet për rindërtimin pas tërmetit.
Pjesa tjetër vjen nga investimet private, kryesisht në ndërtimet rezidenciale dhe më pak në turizëm.
Të dhënat historike të INSTAT tregojnë se ndërtimi erdhi në rënie pas vitit 2011, duke reflektuar ciklin rënës, pas maturimit të ndërtimeve që ishin të vrullshme në dy dekadat e para të tranzicionit.
Nga viti 2015, sektori rinisi zgjerimin e vrullshëm, që përkon dhe me rritjen e shpejtë të sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit të dhëna nga Bashkia Tiranë, ku është përqendrimi më i madh i aktivitetit të kompanive. Pas një rënieje të lehtë në 2019, që përkon me stepjen nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit, sektori e mori sërish vrullin në 2020-n, – ndonëse pjesa më e madhe e ekonomisë ndali për shkak të pandemisë -, dhe u përshpejtua më tej në 2021.
Tendenca ka vijuar dhe në 2022 dhe pritet të vijojë, bazuar në lejet e ndërtimit. Sipas INSTAT, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit që është dhënë nga Bashkia Tiranë për 9-mujorin 2022 është 1.46 milionë metra katror. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipërfaqja e dhënë për ndërtim është rritur me 16.7%. Ky është niveli më i lartë i lejeve i dhënë ndonjëherë për kryeqytetit, të paktën që nga viti 2002, kur INSTAT raporton sipërfaqen e lejeve të dhëna sipas qarqeve.
Rritet numri i firmave
Orientimi i kapitaleve të lira në ndërtim, një pjesë e të cilave mund të vijnë edhe nga burime informale, ka rritur ndjeshëm numrin e kompanive që veprojnë në këtë sektor.
Sipas INSTAT, në vitin 2021 kishte mbi 5 mijë sipërmarrje të fokusuara në këtë aktivitet ekonomik, me rritje prej 17% në raport me 2020-n. Vetëm në atë vit u happen 741 firma të reja, që është numri më i lartë që nga viti 2011.
Ndërtimi vijon të mbetet një nga sektorët më fitim prurës në vend, me një normë (fitimet neto/ardhurat gjithsej) prej 11.5%.
Ndonëse në rritje, norma e fitimit mbetet më e ulët se në 2010-2021, kur iu afrua nivelit prej 19%.
Në vlerë, kompanitë fituan 37 miliardë lekë (rreth 315 milionë euro) në 2021, duke shënuar një rekord historik, të paktën që nga viti 2010, kur INSTAT raporton të dhënat.
Ndërtimi, rekord në rajon
Përqendrimi i investimeve në sektorin e ndërtimit e ka rritur më tej peshën e këtij sektori në strukturën e ekonomisë shqiptare.
Gjatë vitit 2021, ndërtimi zuri rreth 11% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në rajon për rëndësinë që ka në ekonomi.
Të dhënat krahasuese që u publikuan së fundmi nga INSTAT tregojnë se, përveç Kosovës, e cila gjithashtu ka përqendrim të investime në ndërtim, në vendet e tjera, sektori zë 5-7% të PBB.
Ekonomia e Bosnjës ka ekspozimin më të ulët ndaj ndërtimit, me vetëm 5,7 për qind të PBB-së, në Maqedoninë e Veriut ndërtimi zë 5.9 % të ekonomisë, në Serbi 7 për qind dhe në Kosovë pak më shumë se 10%. /MONITOR