MËSUES TË (PA) KUALIFIKUAR/ Xhemollari: Mësuesit me vite në sistem penalizohen për “qejfin” e Ministrisë
Një situatë e paqartë dhe diskriminuese po mban peng një kategori të tërë mësuesish në sistemin arsimor shqiptar. Mësues me vite përvojë, të cilët kanë hyrë në sistemin arsimor para vitit 2011, sot e gjejnë veten të bllokuar profesionalisht për shkak të kërkesës për të marrë licencën përmes provimit të shtetit, një kusht që nuk ekzistonte kur ata u diplomuan dhe u punësuan.
Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare i ftuar në studion e emisionit “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, u shpreh se ky është një debat ligjor dhe kjo është një përplasje kompetencash mes ministrisë dhe universitetit.
“Për sa i përket këtyre kategorive, universiteti vetë i ka dhënë titullin “mësues” këtyre mësuesve të cilët tashmë janë në sistem dhe ministria thotë që jo, unë nuk ju njoh ju si mësues sepse duhet të bëni dhe një provim që e krijoj unë, pra me një fond me 3000 pyetje të tjera, që e quan provimin e licencës.
Pra këto janë teknikalitete pastaj të cilat rëndojnë. Por në parim universiteti është ai i cili të çertifikon si profesionist.
Pra të gjithë, jo vetëm mësuesit, edhe ne juristë apo inxhinierë e të tjerë, universiteti është ai që të jep, si të thuash, profesionin e e tij. Pastaj në varësi se ti ku do të punësohesh, ti kalon kualifikime të tjera.
Problemi i dytë që unë kam parë tek mësuesit që tashmë këto ditë na kanë shkruar, është fakti që ministria ka përdorur, mendoj, një lojë jo të drejtë me këta mësues. Pse? Sepse i ka penalizuar nga kualifikimet brenda sistemit. Pra, edhe i ka futur në sistem dhe tani thotë po s’bëre këtë licencën, unë nuk t'i jap ty kualifikimet, nuk t'i jap më shumë para, nuk të zhvilloj njëlloj me të tjerët.
Dhe këtu prapë kemi një diskriminim të dytë. Pra kemi dhe një diskriminim brenda sistemit. Dhe kjo nuk është e padrejtë jo vetëm për mësuesit, por kjo është e padrejtë dhe për nxënësit, sepse ne shikojmë edhe interesin më të lartë tek nxënësit, të cilët marrin njohuritë nga këta mësues.
Dhe sipas të gjitha studimeve që ne kemi parë kohët e fundit, qoftë testi PISA, apo qoftë teste kombëtare ndërkombëtare, mësuesit kanë shumë nevojë për kualifikime, sidomos për aftësitë dixhitale, apo për aftësi të tjera të cilat edhe vetë universiteti nuk, ndoshta nuk i ka plotësuar ose ka nevojë që kur korrikulat ndryshojnë ose kur qasja në arsim ndryshon, ata duhet të përshtaten.
Dhe në këtë mënyrë, unë them që Ministria e Arsimit nuk është treguar e drejtë dhe nuk është konsultuar të paktën, qoftë me sindikatat, qoftë me vetë mësuesit, qoftë me organizatat që ata i përfaqësojnë apo dhe ajo që më shqetëson më tepër në këtë situatë është që vetë mësuesit nuk kanë një lloj reagimi për këtë çështje”, u shpreh Rigels Xhemollari.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”


