Mjekët në Shkodër pas 2 muaj paraqiten në bankomate, kreu i Sindikatës: Situata shqetësuese nga trajtimi i qeverisë
Personeli i spitalit të Shkodrës nuk ka marrë ende rrogat e muajit dhjetor të vitit që sapo lamë pas.
në një intervistë dhënë këtë të mërkurë për “Ora News” kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Shkodër, Paolo Kaceri, ngriti shqetësimin për mungesën e të ardhurave përballë faktit se nuk kanë me se të paguajnë detyrimet.
Po ashtu, Kaceri theksoi se përveç kësaj situate, personeli shëndetësor i Shkodrës po përballet edhe mos marrjen e pagës së 13-të që nuk u shpërndahet atyre prej kohësh.
“Personeli shëndetësor nuk ka marrë as pagat, as shpërblimet për fundvit dhe as pagën e 13-të, të cilat do i kishte takuar që t’i marrin, por qeverisë nuk i shkon kurrë në mend për ta bërë një gjë të tillë.
Pagat e dhjetorit kanë dalë vetën në drekën e djeshme, por nuk janë tërhequr dot, pasi ka pasur një fluks në bankomate për shkak se kishin dy muaj pa marrë pagat. Dhe nuk janë pak por mbi 700 punonjës. Dhe kjo sitiuatë krijoi një pakënaqësi në anëtarësinë e Sindikatës dhe ata na nxitën që të bënim një sensibilizim për këtë problem.
Është për të ardhur keq që ky trajtim ndodh në një kohë kur i gjithë sistemi po përballet me emigrimin masiv të personelit të shëndetësisë në të gjithë vendin ”, u shpreh kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Shkodër, Paolo Kaceri.