Mjekët dhe pacientët për Spitalin Qendror: Investim madhor, cilësi shërbimi
Spitali Qendror në kompleksin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është vendosur në funksion të pacientëve me shtatë shërbimet e para, teksa vijon plani i transferimit të plotë të shërbimeve që do të përmbyllen me funksionalizimin e urgjencës së re.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshmi të mjekëve por edhe të pacientëve që marrin shërbimin me cilësinë më të mirë në këtë spital ultramodern.
Pacientët dhe mjekët kanë vlerësuar maksimalisht këtë investim madhor në sektorin e shëndetësisë.
“Gjithçka e re, gjithçka me standarde europiane”, – tha prof. Myftar Barbullushi, shef i Shërbimit të Nefrologjisë në QSUT.
“Me këtë ndërtim që është bërë këtu, ne jemi të barabartë me Europën në nivelin spitalor. Do kërkojmë të rrisim cilësinë e shërbimit dhe perfomancën tonë”, – tha prof. Agron Ylli, shef i shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT.
Ndërkohë, pacientët që marrin shërbimin në këtë spital vlerësuan veçanërisht kushtet shumë të mira që ofrohen.
“Kjo është kryevepër që ka bërë shëndetësia shqiptare në shumë vjet”, tha njëri prej tyre.
“Kushtet duken vetë nuk ka nevojë të flasësh”, gjithçka është në rregull”, tha një tjetër.
“Sikur jam në familje… Spitali i ri është fantastik”, vlerësuan pacientët e tjerë.
Spitali Qendror është vepra më e madhe infrastrukturore në shëndetësi në 30 vitet e fundit. Spitali Qendror ka kapacitet 345 shtretër dhe do të akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, reumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.
Pesë vite më parë nisi zbatimi i masterplanit për modernizimin e QSUT dhe pas përfundimit të Spitalit Kirurgjikal “Frederik Shiroka”, Spitalit të ri Pediatrik, Spitalit Infektiv, Depos Farmaceutike QSUT dhe Spitalit Qendror, vijon puna me intensitet për fazën e dytë të rindërtimit të Spitalit Pediatrik, në vijim do të hapen investime të reja me projektet për rehabilitimin e Spitalit të Kardiokirurgjisë, Spitalit Psikiatrik dhe atij të Djegie-Plastikës në QSUT.