Mbush gropa për vota/ Rexh Byberi kujtohet për sistemimin e rrugëve të Tropojës. Dy prokurorime në fushatë
Asfaltimi dhe mbushja e gropave të rrugëve në periudhë fushate nuk mungojnë as në Bashkinë e Tropojës. Institucioni që drejtohet ngë Rexh Byberi ka mbyllur dy prokurime me vlerë 365 mijë euro për këtë punë dhe njërin e ka dhënë duke skualifikuar ofertat më të arsyeshme ndërsa tjetrin në mungesë të konkurrencës.
Prokurimet për asfaltim rrugësh në periudhë fushate zgjedhore mbijnë si “kërpudha pas shiut” në institucionet vendore. Kësaj radhe është Bashkia e Tropojës, e cila dy prokurimet që ka bërë për sistemim rrugësh, njërin e ka dhënë duke skualifikuar ofertat më të arsyeshme dhe tjetrin në mungesë të konkurrencës.
Në fund të shkurtit, institucioni që drejtohet nga Rexh Byberi, ka lidhur kontratën për sistemimin e lagjes Dardania në Bajram Cur. Për të janë parashikuar të shpenzohen 315 mijë euro dhe punimet kërkohen të bëhen për 6 muaj nga data lidhjes së kontratës, që do të thotë se punimet të kryhen gjatë fushatës.
Nga 10 kompani që kishin shfaqur interes, 6 prej tyre janë skualifikuar nga gara ndërsa fitues është shpallur subjekti “Zdravo” i cili kishte kërkuar sa 75% të vlerës së tenderit për të realizuar punën. Nga të skualifikuarit është edhe “Cara” i cili kishte kishte kërkuar më pak se fituesi, por që sipas bashkisë Tropojë, inxhinieri elektrik i kompanisë në fjalë ishte pa CV dhe pa librezë pune.
Ndërsa në prokurimin tjetër që është mbyllur ditën e martë për asfaltim dhe mbushje gropash në rrugët e bashkisë. Në prokurimin me vlerë 49 mijë euro ka marrë pjesë vetëm bashkimi operatorëve “Vllaznimi” dhe “Griald” të cilët duke mos pasur konkurrent tjetër në garë, janë shpallur automatikisht fitues me ofertën sa 99.9% të fondit limit të tenderit.