“Koncesionet, jashtë kontrollit”, Auditi i qeverisë: Nuk po respektohen marrëveshjet, s’ka monitorim

“Koncesionet, jashtë kontrollit”, Auditi i qeverisë: Nuk

Për të dytin vit radhazi Ministria e Financave ka shprehur shqetësimin se kontratat koncesionare nuk po kontrollohen dhe as monitorohen në respekt të detyrimeve të ligjore dhe marrëveshjeve ndërmjet të shtetit dhe privatit që janë instrumente të detyrueshme.

Drejtoria e Përgjithshme e Auditit në Ministrinë e Financave duke raportuar për rezultatet e gjetjeve në vitin 2022 ka vënë në dukje “Mungesën e monitorimit të zbatimit të kontratave koncesionare që janë në fazën e ndërtimit ose kanë hyrë në fazën e shfrytëzimit”

Më tej auditorët referojnë mos respektimin e kushteve të marrëveshjeve lidhur me garancitë financiare të marrëveshjeve dhe mungesën e monitorimit të veprimtarisë së sektorit të oponencës teknike.

Në Ministrinë e Financave aktualisht është në funksion Drejtoria e Koncesioneve, e cila ka për qëllim monitorimin e kontratave nëse janë duke operuar në përputhje me detyrimet ligjore për të vlerësuar rrezikun fiskal që buron prej tyre. Mirëpo misioni i kësaj drejtorie është vështirësuar për shkak se ministritë e linjës kanë humbur kontrollin mbi monitorimin e veprimtarisë së kontratave.

Në raportin e vitit të kaluar Drejtoria e Koncesioneve evidentoi se, procesi i monitorimit është ende në fillimet e tij, pasi numri dhe kompleksiteti i kontratave të koncesionit/PPP është i lartë dhe jo çdo kontratë ka të përcaktuar njësi zbatimi projekti përgjegjëse për monitorimin e saj. Ministria e Financave vuri në dukje se mbledhja e informacionit ka hasur vazhdimisht vështirësi.

Në vitin 2022 në funksion janë 228 kontrata koncesionare, por Financat siguruan të dhëna të pjesshme vetëm për 67 prej tyre.

Ndërkohë, struktura e posaçme e hetimit SPAK pas një investigimi të gjatë ka zbuluar një skemë të madhe mashtrimi me kontratat e inceneratorëve të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës të cilat morën miliona euro nga buxheti i shtetit për investime që nuk i kishin bërë.

Pavarësisht zbulimit të skemës së mashtrimit me fondet publike dhe masës së arrestit me burg për shumë zyrtarë dhe ish ministria, buxheti i shtetit në shkelje të moralit, ligjeve të menaxhimit financiar vijoi normalisht pagesat ndaj abuzuesve vetëm për faktin se siç shpjeguan burimet në Ministrinë e Financave, njësia monitoruese në këtë rast Ministria e Infrastrukturës nuk nisi kurrë një hetim administrativ mbi kontraktorët, në bazë te të cilit do të bllokoheshin pagesat.

Gjithashtu në hetim janë edhe kontratat e koncesioneve në sektorin shëndetësor, të cilat përveçse u dhanë ndaj kompanive pa përvojë kanë tejkaluar kostot e shërbimeve parësore në shëndetësi.

Për vite me radhë PPP u shndërruan në gropa të zeza për fondet publike duke orientuar në skema mashtruese taksat e shqiptarëve në një kohë që vendi ka nivelin më të lartë të varfërisë në Europë, me mungesa të mëdha të infrastrukturës dhe hendek të lartë në cilësinë e shërbimeve në shëndetësi dhe arsim./Monitor

EMISIONET