HASI, GATI PËR PAKETËN E MALEVE/ Kryebashkiaku Miftar Dauti: Kemi miratuar zonat prioritare

Paketa e maleve është një nga prioritetet e qeverisë. Bashkia e Hasit, një bashki e drejtuar nga të djathtët ka miratuar zonat prioritare, por duke u kujdesur për shmangien e përplasjeve. Kryebashkiaku Miftar Dauti, thekson bashkëpunimin me qeverinë aktuale, duke shtuar se politika ka përfunduar me zgjedhjet, e tashmë është përfaqësues i të gjithëve.

Paketa e Maleve është një nga nismat kryesore të kryeministrit Edi Rama, nëpërmjet të cilës synohet zhvillimi i turizmit në zonat malore, por edhe thithja e investimeve të bashkatdhetarëve që punojnë në perëndim.

Për këtë kryeministri Edi Rama ka zhvilluar herë pas here takime me të gjithë kryebashkiakët, mes të cilëve edhe ata të opozitës.

Ndër kryebashkiakët demokratë është edhe ai i Hasit, Miftar Dauti, i cili tregoi se ka dërguar hartat për zonat prioritare, por duke patur kujdes shmangien e përplasjeve me banorët.

Por ndonëse kryebashkiak nga opozita, për Dautin, politika ka përfunduar ditën e zgjedhjeve, pasi ai u përket të gjithë qytetarëve, duke treguar kështu edhe bashkëpunimin me qeverinë.

Bashkia e Hasit është një nga 7 bashkitë, në të cilat opozita arriti të fitojë më 14 maj, që më pas do të tkurreshin në 6, pas përsëritjes së zgjedhjeve në Himarë.

EMISIONET