Pensionet përmes fondeve private, Mete: Vetëm 2.4 % janë përfshirë në skemë

Shqiptarët nuk e shikojnë të arsyeshme që të përfshihen në skemën e pensioneve përmes fondeve private. Kreu i AMF-së në raportimin e tij në Kuvend pranoi se këtë skemë ka një pjesëmarrje prej vetëm 2.4 për qind.

Fondet private shihen si një formë zgjidhjeje për mbështetjen financiare pas daljes në pension. Por në Shqipëri në këtë skemë vetëm një numër shumë i ulët kanë zgjedhur të përfshihen.

“Në raport me forcën e punës, ne kemi 2.4 për qind pjesëmarrje”, u shpreh kreu i Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete.

Por edhe punonjësit që paguajnë kontribute shpesh zgjedhin t’i tërheqin menjëherë kursimet, duke hequr të drejtën e një burimi alternative të ardhurash.

“Rreth 90 përqind e tërheqin fondin e pensionit me dlajen në pension", u shpreh Ervin Mete.

Në Parlament tashmë është paraqitur një projektligj ku kërkohet që të kenë lehtësira fiskale për kontribuesit që I marrin mbrapsht të ardhurat me këste, por dhe penalitetet për rastet kur fondet kërkohen para kohe.

“Ligji parashikon që ata mund t’i tërheqin pa penalitet vetëm kur dalin në pension, pra kur mbushin moshën dhe në rastin e lehtësirave në dalje, dy vite duhet t’i tërheqin me këste në mënyrë që të përfitojnë këtë lehtësi fiskale.

Në qoftë se i tërheqin përpara mbushjes së moshës së pensionit paguajnë edhe tatimin e plotë, paguajnë edhe penalitet që në varësi se sa afër moshës së pensionit është ai që i tërheq, penaliteti është 15, 10, 5 e kështu me radhë. Pra është shumë i lartë për t’u tërhequr para kohe”, u shpreh Ervin Mete.

Kreu i AMF-së në raportimin në komisionet parlamentare u shpreh se pjesëmarrësit në fondet private të pensioneve janë në një moshë mesatare 43 vjeçare. Ndërsa ai shtoi se shpesh dhe kjo formë mund të bëhet e detyrueshme si një projekt që ka nisur edhe në vendet e BE.

EMISIONET