Dukagjin, bie me motor në humnerë, vdes turisti çek
Shkodër –Nje turist çek ka gjetur vdekjen pasditen e sotme në fshatin Ndërlysaj të Komunës Shalë të Dukagjinit.
David Polach 44 vjeç ka qënë duke udhëtuar së bashku më 3 miq të tij në drejtim të vendit të quajtur “Syri i Kaltër”, kur ka rrëshqitur së bashku me motorin me të cilin udhëtonte, duke rënë në një greminë.
Turistët kanë qënë duke kaluar në një rrugë të vështirë e të ngushtë malore dhe në pamundësi për të kapërcyer shkëmbin, kjo ndikuar edhe nga lagështira pasi ka patur rreshje të dendura shiu, 44 vjeçari ka humbur kontrollin e motorrit dhe ka përfunduar mbi 100 metra në greminë.
Shkak për këtë situatë mendohet të ketë qënë edhe mos njohja e terrenit nga turistët, ndërsa mësohet se ata po lëviznin të pashoqëruar nga persona që njihnin zonën.
Ata ndodheshin prej 3 ditësh në këtë zonë të thellë malore. Ndonëse shokët me të cilët po kryente këtë udhëtim kanë tentuar ta ndihmojnë, çdo gjë ka qënë e kotë.
Me të marrë njoftimin uniformat blu të Shkodres, janë nisur në vendin e ngjarjes së bashku më grupin e RENAS-s. Nga ministria e Mbrojtjes është dërguar një helikopter, i cili ka sjellë trupin e 44 vjeçarit në morgun e spitalit të Shkodres.
Nuk është hera e parë që turistët çekë aksidentohen dhe humbasin jetën në Shqipëri. Tre studentë çekë, dy vëllezër me mbiemrin Pavelka dhe shoqja e tyre, Tuçkova, kanë humbur pa lënë gjurmë që nga 15 shtatori i vititi 2001 dhe një tjetër turist çek humbi jetën në kanionet e Skraparit dy vjet më parë.
ar.sh/Oranews
