Dolën për të mbledhur rrjetat, Stuhia përmbys varkën: Shpëtojnë babai dhe dy djemtë, mbytet gruaja
Një grua është mbytur në det pasi varka ku qëndronte së bashku me bashkëshortin, djalin dhe një punëtor u përmbyt nga dallgët. Sinjali i alarmit është dhënë në mesditë, por policia mundi të shpëtonte vetëm 3 persona.
Ulja e menjëhershme e temperaturave, reshjet e dendura dhe era e fortë ka shkaktuar edhe tragjedi në Himarë.
Familja Rama ashtu si çdo ditë kishte dalë së bashku me një punëtor për të mbledhur rrjetat e peshkimit.
Por dallgët e forta kanë shkaktuar përmbysjen e barkës.
Menjëherë pas marrjes së sinjalit në vendgjarje ka mbërritur policia kufitare dhe roja bregdetare, të cilët kanë marrë njoftim përmes një telefonate.
Efektivët kanë mundur të shpëtojnë kryefamiljarin Robert Rama, 50 vjeç, djalin Avdylin 25 vjeç dhe Fatjon Resulajn, por pa mundur të gjejnë trupin e nënës, Mirela Rama.
Të shpëtuarit janë dërguar menjëherë në spitalin e Vlorës, ku djali rezulton të jetë në gjendje më të rëndë.
Kërkimet kanë vijuar për gjetjen e Mirela Ramës. Pas rreth 2 orësh nga përmbysja e barkës, trupi i pajetë i saj është gjetur në brigjet e Dhërmiut.
Prej vitesh familja Rama siguronte të ardhurat nga peshkimi, por fillimi i gushtit dhe paqëndrueshmëria e motit ka qenë fatal për kryefamiljaren.
