Dokumenti i Sigurimit/ Ndreca: Tare i ka vjedhur një shoku 100 lekë, solli në shkollë fotografi pornografike, reagon studiuesi

Profesor Ardian Ndreca i ka hyrë debatit me studiuesin Auron Tare pas publikimit të shkrimit nga ky i fundit mbi Ernest Koliqin dhe Martin Camajn duke i etiketuar si pjesë e agjenturave të huaja.

Si kundërpërgjigje, Ndreca ka publikuar një pjesë të një dokumenti të Sigurimit për Taren.

Në të shkruhet:

“Auron Isa Tare, nxënës në shkollën “Skëndërbej” Dega e SIg.Garnizonit me shkresën Nr.221 datë 20.5.1986 nuk është dakort, pasi gjatë kohës në shkollë ka manifestuar çfaqje të huaja, ndjek modën e huaj.

Në vitin 1985 i ka vjedhur një shoku të tij 100 lekë. Në muajin prill 1986 Auroni ka sjellë në shkollë një revistë angleze me fotografi pornografike. Auroni është njeri që mund të bëjë çdo veprim negativ”.

I gjithë ky dokument, është si një mesazh i drejtpërdrejtë për Taren i cili gjithashtu duhet të marrë me rezerva dokumentet që gjen e publikon vërdallë.

“Vlera e atyne dokumenteve duhet relativizue tue u nisë prej besueshmënisë, inteligjencës dhe etikës së institucionit që i ka prodhue. Kjo që them do t’i vinte për mbarë edhe vetë Tares, pse edhe ai ka qenë subjekt gjykimesh i asaj haleje. Por, sot, Martin Camaj nuk asht mes nesh për me u mbrojtë për atë firmën e hjedhun para oficer Kapisyzit, kurse Tarja mundet me spjegue dhe me u mbrojtë.

Po të mos ishte për atë krahun me të cilin u rreshtuen pa ngurrue si Koliqi si Camaj, Tarja vetë sot do të ishte tue i ba fresk ndonji kundërajrori të ndryshkun tue pritë me veshë ngrehë tartarët si ai personazhi i Dino Buzzatit.

Tarja s’mund ta dijnë, pse as skuthët që ia kalojnë kontrabandë dokumentet s’e dijnë për vete, se koloneli i UDB-ës Čedo Mijović kërcënonte të gjithë ata që tregonin kokëfortësi se mbrenda 24 orësh do të dorëzoheshin në Han të Hotit dhe koloneli malazez ishte njeri që e mbante fjalën dhe madje e fliste shqipen rrjedhshëm. Disa bashkëpunonin pse donin me dalë sa ma parë në Perëndim, të tjerë se urrenin regjimin e Tiranës e të tjerë pse ishin të lidhun historikisht me Jugosllavinë. Janë kategori të ndryshme që s’i lidh asgja, përveç fatit që ishin në duert e Čedo Mijović apo të majorit Kaplar Ljubović”, shkruan ndër të tjera Ardian Ndreca.

Lidhur me këtë publikim të Ndrecës, ka reaguar edhe Auron Tare, duke thënë se dosjet e sigurimit kanë qenë shumë të sakta dhe e e konfirmon këtë informacion 100%.

Përmes një postimi në Facebook, shprehet se në atë kohë ka pasur shfaqje të huaja dhe lexonte literaturë angleze, dhe ironizon Ndrecën duke thënë se ai nuk e di çdo të thotë të mësojë anglisht në atë kohë.

Tare deklaron se revista e huaj që solli asokohe në shkollë kishte balerina dhe atij që e spiunoi, ju duk si porno. Sipas tij, i vetmi gabim në këtë dosje, është fakti se se nuk ishin 100 por 50 lek, dhe iu detyrua t'ia merrte një shoku pasi kishte fituar në lojën me letra.

Postimi i Tares në Facebook

''Duke e falenderua Zotin Ndreca/Marku nga zemra pasi kishte vite qe e kerkoja dhe nuk e gjeja dosjen time te Sigurimit. Ju falenderoj zoti Adrian dhe dua tju konfirmoj se ne fakt dosjet e Sigurimit te Shtetit kane qene shume te sakta. Une e konfirmoj kete informacion 100% . Po kam pasur shfaqje te huaja, po lexoja literature angleze qe ne ate kohe. Nuk besoj se Ndreca/Marku e kupton se cdo te thote te mesosh anglisht ne ate kohe. Po kam sjelle ne shkolle nje reviste te huaj e cila kishte balerina dhe po ai qe me spiunoi ju duken si "porno" . Po flisja kunder rregjimit dhe tallesha me ate rregjim. Po ishe negativ per ate rregjim dhe nuk me jepnin te drejten te dilaj jashte shtetit.

Te gjitha cfare thote Dosja jane super te verteta. Me nje shenim te vogel ai i Sigurimit nuk ishte i sakte. Nuk ishin 100 lek po 50 lek dhe atij shokut ja kisha fitu ne loje me letra por nuk mi jepte. U detyrova ja mora me force. Pra zoti Ndreca/Marku te falenderoj shume per kete pasazh nga Dosja ime dhe qe me konfirmove qe kjo Dosje egziston se deri me tani nuk ma jepte kush. Plus me konfirmon qartesisht ate qe mendoja se Z Ndreca/Marku ka pasur lidhje te hershme me Sigurimin e Shtetit. Megjithate ende z Ndreca/Marku nuk e ka shpjegu rolin e Komitetit te Prizrenit dhe Gjeneral Mugoshen.''

Vendi Lajme auron tare ardian ndreca

EMISIONET