Dialogu Kosovë-Serbi, Robelli: Nuk do ketë valle të ndara mes europianëve dhe amerikanëve, vizat pas presidencialeve të Francës
Në 31 mars skadon afati 1 vjeçar i përfaqësuesit të posaçëm të BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Analisti, Enver Rebolli, për Rtv Ora mendon se mandati i tij do të shtyhet për shkak edhe të zhvillimeve në SHBA.
Në gjykimin e tij nuk do të kemi më valle të ndara mes europianëve dhe amerikanëve, por nga ana tjetër shton se nuk duket të kemi pritshmëri jorealiste nga administrata Biden.
Robelli: Sa i takon dialogut, pas ndryshimeve në SHBA është duke u bërë një bilanc, është duke u pastruar terreni dhe mendoj se mandati i Lajçak do të vazhdojë. Do të ketë një kordinim me SHBA sesi do të vazhdohet më tutje. Nuk mendoj se do të ketë valle të ndara apo garë mes europianëve dhe amerikanëve, apo injorim të europianëve si me administratën Trump. Do të ketë një lloj kordinimi por nuk duhen patur pritje shumë të mëdha, pritje jorealiste se nuk do të ketë presion dhe nga administrata e Biden.Kosova e ka nënshkruar në 2015 një marrëveshje me BE për krijimin e një Asociacioni të komunave serbe në Kosovë, pjesa më e madhe e kësaj marrëveshje është shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese por prapë pikënisja e negociatave duhet të jetë aty, aty duhet të vënë gishtin SHBA.
Sa i takon liberalizimit të vizave, Robelli thotë se me shumë gjasa bllokimi francez nuk do të hiqet deri pas zgjedhjeve presidenciale të 2022 atje.
Robelli: Sa i përket liberalizimit të vizave vërtet ekziston ky rrezik. Macron nuk është aq i popullarizuar në Francë dhe për tu profilizuar si politikan kundër emigracionit me një qasje më kritike dhe ndaj komunitetit mysliman në Francë ai nuk do të ketë disponim për të zhbllokuar situatën dhe për ti mundësuar Kosovës qarkullim të lirë brenda zonës së Shengenit.Kjo do të ishte një situatë që nuk do të vërehej fare momentalisht pasi për shkak të pandemisë njerëzit as që mund të udhëtojnë. Por duket se rreziku nga populistët në Francë po e pengon Macron që ti heqë vizat për qytetarët e Kosovës. Kosova është ndëshkuar mjaft, është vendi i vetëm në perëndim të Rusisë që nuk gëzon liri të vizave dhe është një vendim i turpshëm i Unionit Europian.
Intervista për gazetaren Beti Njuma, përgatiti Besjana Kuçana
