Dha frymë në fushën e blertë, Meta vlerëson legjendën e futbollit Roza Haxhiun: Një nga martirët e sportit
Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, një nga legjendat e sportit tonë, Abdurrahman Roza Haxhiun, ose Roza Haxhiun, siç e njohin të gjithë lushnjarët dhe shqiptarët, një nga futbollistët tanë të mëdhenj dhe të paharruar, i vlerësuar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare për kontributin dhe rezultatet e shkëlqyera të arritura në pak kohë.
Meta shpreh kënaqësinë që ky vlerësim bëhet në këtë vit historik të 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës, ku familja Haxhiu, ka pasur një kontribut të veçantë.
Roza Haxhiu, ishte një futbollist i shquar, i viteve 50-60’, talent i rrallë, golashënues i klasit të parë me Ekipin Kombëtar, me Lushnjën, Dinamon, Besën dhe sidomos me Partizanin ku u shpall disa herë kampion kombëtar, fitues i Kupës, si edhe mori medalje të argjendë në turneun e Laipcigut.
Presidenti Meta thotë se nëse sporti ka martirët e tij, Roza Haxhiu, është një nga ata luftëtarë, që me të vërtetë ra në fushën e blertë të stadiumit, i aksidentuar nga një goditje vdekjeprurëse në kokë e cila i mori edhe jetën, që ai aq bukur dinte ta jetonte.
I dalluar si mesfushor me vizion të gjerë, i papërtuar, i shkathët, teknik, me një diapazion të gjerë për lojën, e mbi të gjitha, me një shpirt tepër të madh, Roza Haxhiu, luajti edhe për Ekipin Kombëtar, ku u dallua për teknikën dhe cilësitë e tij, duke u kthyer në një simbol të futbollit tonë.
"Shembulli dhe virtuoziteti i tij, kanë mbetur në kujtesën e sportdashësve tanë dhe është shkruar me gërma të arta në historinë e sportit tonë.Mirënjohje, respekt dhe i paharruar kujtimi i Roza Haxhiut për gjithçka i dha sportit lushnjar dhe atij kombëtar, si një legjendë e paharruar dhe burim i përjetshëm frymëzimi për gjeneratat e reja të sportistëve" shkruan Meta.



