Deputeti Selami: Shqipëria republikë partiake, lidershipi i PD nuk ngjall shpresë
Në prag të kremtimit të 25 vjetorit të themelimit të PD, partia e parë opozitare në vend, deputeti Eduard Selami një prej themeluesve të saj ngre shqetësime serioze ndaj lidershpit demokrat dhe shkon deri aty sa thotë se ndjen zhgënjim.
Selami:“Udhëheqja e re e Partisë Demokratike, më ka zhgënjyer mua dhe pjesën më të madhe të partisë që duan ta shikojnë edhe një herë PD-në si parti e shpresës për shqiptarët. Ne kishim një shpresë që përballë kësaj qeverisjeje të keqe Rama-Meta, nga më të këqiat që ka patur vendi, të dilnim me një drejtim tjetër dhe kjo nuk po arrihet”.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Selami deklaroi se PD nuk është sot alternativë përballë keqqeverisjes së vendit.
Selami: “Megjithëse kemi një nga qeverisjet më të këqia të këtyre 25 viteve, mendioj se fatkeqësisht nuk kemi arritur të ngallim shpresë.Lidershipi i aktual i PD nuk ngjall shpresë dhe besim”.
Eduard Selami që ka mbajtur dhe detyrën e kryetarit të PD në vitet para të krijimit të saj, është i shqetësuar edhe për mënyren se si u lexua humbja e zgjedhjeve të 2013.
Zoti.Selami ndalet me argumentat e tij përtej familjes se demokratëve në opozitë, tek qeverisja duke e vlerësuar si me te keqen që nga viti 1990.
Selami u shfaq kritik edhe për proçesin e dekriminalizimit kur tha se pa reformën në drejtësi, kjo nismë nuk ka kuptim.
Deputeti demokrat, një prej të parëve që nënshkruan krijimin e PD, 25 vjet më parë dhe bashkë me të edhe të shpresës së shqiptarëve për një Shqipëri europiane sot vëren me keqardhje të thellë se Shqipëria nuk është ajo duhet të ishte.
Selami: “Shqipëria e 25 viteve nuk është histori suksesi dhe për këtë ka përgjegjësi politika.Shqipëria është një republikë partiake, ku partitë janë institucioinet më të fuqishme që është një problem mjaft i madh për Shqipërinë.Por dhe vetë partitë janë prona personale të drejtuesve që nga vendimarrja, përzgjedhja e politikave. Drejtuesi pasi merr mandatin dhe marrja e mandatit është gjithmonë e kontestueshme, nuk pyet më njeri.Problem që është në të gjitha krahët”.
Eduard Selami e përfundon intervistën e tij me një të vërtetë të hidhur se ky çerek shekulli nuk ka sjellë asnjë ndryshim thelbësor në jetën e shqiptarëve.
Intervista e plotë:
