Çorovodë, Arvizu shoqëron Metën në një biznes fason: Vlerësoj investimet
Çorovodë-Ambasadori i SHBA, Arvizu ka vlerësuar investimet në bizneset fasone. Arvizu shoqëronte kryeparlamentarin Ilir Meta gjatë viztës në një fabrikë këpucësh. Ndërsa Ilir Meta ka falenderuar investitorin për kontributin në realizimin e kësaj fabrike.
Ambasadori Arvizu vlerësoi këtë investim gjigant në këtë zonë të tillë si Çorovoda dhe u impresionua nga kushtet e punës. Arvizu gjatë bashkëbisedimit me punonjësit e kësaj fabrike, u njoh me kushtet moderne të punës në përputhje me standardet evropiane.
Meta së bashku me investitorin Nikolin Lleshi e njohën Ambasadorin z. Arvizu me mënyrën e funksionimit, kapacitetet, fazat e punës të këtij biznesi fason që ka hapur 300 vende të reja pune dhe se së shpejti në muajin shtator kapaciteti i punonjësve do të shkojnë në 500 vende të tjera pune.
Në fjalën e Tij, Kryetari i Kuvendit falënderoi investitorin Nikolin Lleshi dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e fabrikës dhe për hapjen e vendeve të reja të punës, ndërsa garantoi për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë dhe të kësaj mazhorance për krijimin e të gjithë lehtësirave të nevojshme për biznesin fason.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu vizituan fabrikën e një biznesi fason “Alba Shoes Group” të hapur pak javë më parë në qytetin e Çorovodës që ka si aktivitet të saj prodhimin e këpucëve për eksport në të gjithë vendet e rajonit dhe të Europës.
