Video/ Skena kaosi nga Britania, qytetarët zihen me thika për disa pika benzinë

Londra po përgatit forcat e armatosura për të lehtësuar problemet me furnizimin me karburant.
Me sa duket pritja e gjatë dhe radhët në pikat e karburantit kanë irrituar britanikët, të cilët kanë arritur të marrin dhe thika me vete për të siguruar pak benzinë.
Një shofer britanik në jug-lindje të Londrës, i irrituar nga pritja e gjatë dhe radhët kilometrike për pak benzinë, debatoi me një shofer tjetër, pa hezituar të nxirrte edhe një thikë.
Siç shihet në video, shoferi i tërbuar iu drejtua shoferit tjetër dhe duke e kërcënuar me thikë, i kërkoi të zbriste nga makina.
Fatmirësisht, incidenti përfundoi pa të lënduar.
Prej katër ditësh, pikat kombëtare të karburantit janë boshatisur nga nafta dhe benzina për shkak të qytetarëve që po i blejnë me shumicë pasi dyshohet se mund të ketë mungesa në treg.
Arsye tjetër është zbulimi se vendit i mungojnë mbi 100 mijë shoferë kamionësh dhe autobuzesh, të cilët po ndikojnë te transporti i lëndëve djegëse por edhe i ushqimeve në supermarkete.

Ushtria ka thënë se mund të dërgojë 150 shoferët e vet për mjete të rënda që të furnizojnë pikat me karburant.
Qeveria britanike ka njoftuar për një pezullim të ligjit për konkurrencën mes kompanive të naftës, duke i lejuar ato që të punojnë së bashku për të lehtësuar krizën e fundit.
Ndërkohë vendi ka shpallur edhe mbi 10 mijë viza të përkohshme për shoferë të huaj autobotesh dhe kamionësh me ushqime me afat deri për Krishtlindje.
Mungesat për shoferë vijnë si pasojë e Brexit dhe largimit të këtyre punëtorëve drejt vendeve të origjinës, por edhe prej pandemisë, pagave të ulëta dhe plakjes së forcës punëtore.
Mungesa të tilla raportohen se po hasin edhe Gjermania e Polonia.
-
Si rrallë herë më parë del ne ankand kënga e papublikuar e John Lennon
28 Shtator, 10:57


