(VIDEO) Përmbyset një varkë pranë Alcatrazit/ Humb jetën një person, vijojnë kërkimet për dy të zhdukurit e tjerë

(VIDEO) Përmbyset një varkë pranë Alcatrazit/ Humb

Një person ka humbur jetën, dy të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe 16 persona janë shpëtuar pasi një varkë me 19 persona në bord u përmbys në Gjirin e San Franciskos, pranë ishullit Alcatraz. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes.

Shërbimi Zjarrfikës i San Franciskos njoftoi se alarmi u dha rreth orës 15:35 me orën lokale, pas raportimeve se një varkë rreth 550 metra larg ishullit Alcatraz dyshohej se ishte përfshirë nga flakët.

Me mbërritjen në vendngjarje, ekipet e emergjencës konstatuan se mjeti lundrues ishte përmbysur.

Një prej pasagjerëve u nxor nga uji pa shenja jete. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore për ta rikthyer në jetë, ai nuk arriti të mbijetonte.

Nga 19 personat që ndodheshin në bord, 16 u shpëtuan, ndërsa dy të tjerë vijojnë të jenë të zhdukur. Gjatë operacionit u gjet i pajetë edhe qeni që ndodhej në varkë.

Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë rrënojat e mjetit lundrues duke u fundosur në ujërat e Gjirit të San Franciskos.

Deri tani nuk është bërë e ditur nëse varka ishte nisur drejt ishullit Alcatraz, po largohej prej tij apo ndodhej në zonë për një arsye tjetër.

Ishulli Alcatraz, i njohur për burgun e tij historik dhe sot një nga destinacionet më të vizituara turistike në Shtetet e Bashkuara, ndodhet në një zonë me ujëra shumë të ftohta gjatë gjithë vitit. Sipas autoriteteve, temperaturat e ulëta të ujit e bëjnë edhe më të vështirë mbijetesën në raste aksidentesh të tilla.

EMISIONET