VIDEO/ Pamje të frikshme nga Filipinet! Tërmeti i fuqishëm shkund vendi, disa viktima, paralajmërohet për cunami

VIDEO/ Pamje të frikshme nga Filipinet! Tërmeti i fuqishëm

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë ka goditur mëngjesin e së hënës jugun e Filipineve, duke shkaktuar viktima, shembje ndërtesash dhe alarm për cunami në disa vende të rajonit të Paqësorit.

Sipas raportimeve paraprake, të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur nga lëkundjet e forta sizmike që goditën zonën detare pranë brigjeve jugore të ishullit Mindanao. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.

“Një numër ndërtesash janë shembur. Disa shtëpi janë shndërruar në rrënoja”, deklaroi Robert Duggan, oficer policie në qytetin General Santos, një nga zonat më të prekura nga tërmeti. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti u regjistrua me magnitudë 7.8 ballë në një thellësi prej rreth 35 kilometrash.

Fillimisht, magnituda ishte vlerësuar në 8.1 ballë, por më pas u rishikua nga ekspertët sizmologë. Epiqendra ndodhej rreth 56 kilometra në jug të qytetit General Santos, në rajonin Mindanao, ku lëkundjet u ndjenë fuqishëm në një zonë të gjerë të arkipelagut filipinas.

Pas tërmetit, Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor (PTWC) lëshoi menjëherë alarm për cunami, duke paralajmëruar se valë të mëdha mund të godasin brigjet e Filipineve, Indonezisë, Tajvanit dhe Japonisë brenda pak orësh. Sipas vlerësimeve, valët e cunamit mund të arrijnë lartësi nga 1 deri në 3 metra në Filipine, ndërsa në Indonezi dhe Malajzi priten valë nga 0.3 deri në 1 metër. Edhe Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) aktivizoi paralajmërimet përgjatë vijës bregdetare nga Okinawa deri në lindje të Tokios, duke njoftuar se valët mund të arrijnë deri në një metër lartësi.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momente paniku dhe ndërtesa që shemben si pasojë e dridhjeve të fuqishme, ndërsa mijëra banorë janë larguar drejt zonave më të sigurta. Filipinet ndodhen në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit, një nga zonat më aktive sizmike dhe vullkanike në botë, ku tërmetet e forta dhe aktiviteti vullkanik janë dukuri të shpeshta. Autoritetet filipinase dhe agjencitë ndërkombëtare të monitorimit po ndjekin nga afër situatën, ndërsa priten përditësime të reja mbi dëmet dhe pasojat e këtij tërmeti të fuqishëm.

EMISIONET