Vetmia e përhapur edhe tek të rinjtë, fenomeni u rëndua pas pandemisë në Gjermani
Për një kohë të gjatë, vetmia dukej si një fenomen tipik i pleqërisë, por pandemia e koronavirusit rëndoi sidomos të rinjtë. Dhe kjo ndjenjë vazhdon, sipas një sondazhi të fundit. Sipas një sondazhi, shumë të rinj në Gjermani ndihen të vetmuar. Rreth një në dhjetë të anketuar (njëmbëdhjetë përqind) nga mosha 16 deri në 30 vjeç thanë se ndiheshin shumë të vetmuar në studimin e porositur nga fondacioni Bertelsmann Stiftung. 35% e tjerë ndiheshin "mesatarisht të vetmuar”.
Në varësi të gjinisë dhe grupmoshës, shifrat variojnë nga 33% në 51%. Femrat e reja, sipas sondazhit, janë më të prekura nga vetmia sesa të rinjtë. Vetmia është më e madhe mes moshës 19 dhe 22 vjeç.
"Modalitet i përgjithshëm i krizës" është një nga arsyet
Sipas të dhënave, shifrat janë ende dukshëm më të larta se para pandemisë së koronavirusit. "Rritja e vetmisë në këtë grupmoshë duket në këtë mënyrë e qëndrueshme”, përfundojnë ekspertët. Për më tepër, rritja nuk mund të shpjegohet vetëm me kufizimet e kontaktit të vendosura gjatë pandemisë.
Ndryshimet në kushtet e rritjes, format e ndryshuara të komunikimit dhe sjelljes, dhe një "modalitet i përgjithshëm i krizës" mund të luajnë një rol. Fakti që njerëzit i ndryshojnë dhe i përfundojnë më shpesh se më parë vendet e punës dhe marrëdhëniet mund të jenë gjithashtu faktorë. Mbetet për t'u hetuar se cili prej këtyre shkaqeve efekt. Ka edhe shenja se numri i kontakteve konsiderohet ndërkohë sërish i mjaftueshëm- por jo edhe cilësia e tyre.
Sa më i vetmuar, aq më pak i lumtur
Në përgjithësi, grupmosha midis 16 dhe 30 vjeç deklaroi një nivel të moderuar të kënaqësisë nga jeta. Vlera ishte 6.75 në një shkallë nga zero (aspak i kënaqur) në dhjetë (plotësisht i kënaqur).
Sa më i vetmuar të ndihet një person, aq më i ulët rezulton kënaqësia e tij nga jeta. Sipas studimit, të prekur janë veçanërisht të rinjtë e divorcuar ose të ve, me arsim të ulët, të papunë, që jetojnë në qytete të mesme ose kanë origjinë migrantësh. Për studimin u pyetën online në mars 2.532 të rinj, nga 16 deri në 30 vjeç.
Paus: Rrezik për demokracinë
Ministrja e Familjes Lisa Paus e quajti vetminë një "dukuri të nënvlerësuar" që mund të dëmtojë gjithashtu demokracinë në plan afatgjatë. "Kushdo që humb besimin në shoqëri humb besimin edhe te demokracia, pjesëmarrja politike zvogëlohet, njësoj si vullneti për të votuar”, deklaroi politikania e të Gjelbërve për gazetën Funke Mediengruppe.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vetmia është po aq e dëmshme sa obeziteti, duhani dhe ndotja e ajrit.
Nxjerrja e temës "nga zona tabu"
Paus prezantoi së fundmi "Barometrin e vetmisë", një studim i bazuar në statistikat afatgjata të Panelit Socio-Ekonomik (SOEP). Sipas studimit, personat e rrezikuar nga vetmia janë veçanërisht ata me nivele të larta stresi dhe pak mbështetje: që kujdesen për të afërmit e familjes ose prindërit vetëushqyes, të papunët, të varfërit dhe personat e diskriminuar nga pikëpamja sociale. Që nga koronavirusi, në këtë grup janë përfshirë më shumë të rinj, adoleshentë dhe fëmijë. "Kjo më në fund meriton vëmendje. Vetminë, edhe tek të rinjtë duhet ta marrim seriozisht dhe të veprojmë", kërkoi Paus.
Në programin e mëngjesit të ARD-së, ministrja bëri thirrje që kjo temë shpesh e shoqëruar me turp të nxirret nga zona tabu. Sot ajo hap javën e fushatës me temën e vetmisë. Në këtë javë do të ketë aktivitete model, si pjekj të vaferave së bashku ose krijimi i miqve përmes telefonit. Java do të përmbyllet me një konferencë të specializuar dhe konsultime me Këshillin e Etikës për temën e vetmisë.
Sipas Paus, departamenti i saj e mbështet strategjinë kundër vetmisë të qeverisë federale me 70 milionë euro. Në të njëjtën kohë, ajo pranoi se kjo ka shumë të ngjarë të mos jetë e mjaftueshme. "Duke qenë se vetmia po rrënjoset gjithnjë e më shumë në shoqërinë tonë, bëjmë mirë të studiojmë se çfarë mund të bëjmë edhe më shumë dhe më mirë”, tha ministrja gjermane e Familjes Paus.