Trump: Ukraina mund të rimarrë të gjithë territorin e humbur me ndihmën e NATO-s

Presidenti Donald Trump tha dje se beson që Ukraina mund të rimarrë të gjithë territorin e humbur ndaj Rusisë, një ndryshim dramatik nga thirrjet e tij të përsëritura më herët që Kievi të bënte lëshime për t’i dhënë fund luftës, sipas AP.
Trump e bëri këtë deklaratë në një postim në rrjetet sociale, menjëherë pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Mendoj se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, është në pozitë të luftojë dhe të fitojë duke e rikthyer të gjithë territorin e saj në formën origjinale”, shkroi Trump.
“Me kohë, durim dhe mbështetjen financiare të Evropës dhe veçanërisht të NATO-s, kufijtë origjinalë prej nga nisi kjo luftë janë shumë të realizueshëm”, shtoi ai.
Ky qëndrim i forcuar nga Trump, nëse mbetet i tillë, përbën një fitore të madhe për Zelensky, i cili e ka nxitur presidentin amerikan të mbajë presionin mbi presidentin rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës.
Më herët, Trump kishte sugjeruar se Ukraina nuk do të ishte kurrë në gjendje të rimerrte të gjitha territoret e pushtuara që prej aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Kjo kishte zhgënjyer Zelensky, europianët dhe vetë ukrainasit, duke vënë në pikëpyetje angazhimin e SHBA-së ndaj parimeve të OKB-së për sovranitetin dhe integritetin territorial.
“Por tani, pikëpamja e Trump mbi fushën e betejës përkon më shumë me atë të Ukrainës”, tha Zelensky.
“Trump është një faktor ndryshimi më vete”, u tha ai gazetarëve pas takimit.


