Ministrat e Jashtëm të G7: Shkeljet ajrore të Rusisë janë të papranueshme

Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara (G7) dënuan dje shkeljet e fundit të hapësirës ajrore nga Rusia në vendet europiane anëtare të NATO-s.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e shtatë vendeve dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së “shprehën shqetësim për shkeljet më të fundit të hapësirës ajrore nga Rusia në Estoni, Poloni dhe Rumani, të cilat janë të papranueshme dhe rrezikojnë të minojnë sigurinë ndërkombëtare”.
Takimi u zhvillua në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
G7 përfshin Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikës
NATO, më dje më herët paralajmëroi Rusinë se do të përdorë “të gjitha mjetet e nevojshme ushtarake dhe jo-ushtarake” për të zmbrapsur kërcënimet, pas disa incidenteve javët e fundit ku avionë luftarakë apo dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të anëtarëve të saj.
Anëtarët e NATO-s u mblodhën në Bruksel për konsultime pas hyrjes në hapësirën ajrore të Estonisë nga tre avionë luftarakë rusë javën e kaluar, ndërsa më herët këtë muaj disa dronë rusë depërtuan në hapësirën ajrore të Polonisë. Edhe Rumania ka raportuar këtë muaj një dron rus që ka hyrë në hapësirën e saj ajrore.


