Kreu i diplomacisë gjermane: Sanksione të mëtejshme ndaj Izraelit nuk janë të nevojshme

Kreu i diplomacisë gjermane: Sanksione të mëtejshme ndaj Izraelit

Sanksione të mëtejshme ndaj Izraelit “nuk janë të nevojshme”, deklaroi sot ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, ndërsa qëndrimi i Berlinit për luftën në Gaza vazhdon të devijojë nga ai i partnerëve perëndimorë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paraqitur një paketë sanksionesh ndaj Izraelit, përfshirë përfundimin e koncesioneve tregtare dhe vendosjen e masave ndaj ministrave të krahut të djathtë ekstrem, në përgjigje të operacionit të vazhdueshëm izraelit në Gaza.

Kancelari Friedrich Merz pritet të shpallë qëndrimin e Gjermanisë për sanksionet përpara një takimi joformal të Këshillit të BE-së në Kopenhagë më 1 tetor, pas konsultimeve brenda koalicionit qeveritar.

“Do ta shqyrtojmë përsëri javën e ardhshme, por për momentin besoj se masat që kemi marrë deri tani kanë qenë efektive dhe se masa të tjera nuk janë të nevojshme,” tha Wadephul për radion ”Deutschlandfun”.

Në fillim të gushtit, Merz shpalli një ndalim të eksporteve gjermane të armëve drejt Izraelit që mund të përdoren në Gaza, duke e justifikuar vendimin me ofensivën  që pritej në Qytetin e Gazës.

Ofensiva e plotë filloi javën e kaluar, me qindra mijëra palestinezë që po largohen nga qyteti, ndërsa organizatat humanitare paralajmërojnë për kushte katastrofike për civilët.

Ky zhvillim ka shtyrë disa vende perëndimore si Britania e Madhe, Franca, Kanadaja dhe Australia të njohin shtetin palestinez ditët e fundit, duke iu bashkuar shumicës së vendeve anëtare të OKB-së.

Por Berlini dhe Italia vazhdojnë t’i kundërvihen një njohjeje të menjëhershme, me Wadephul që thekson se ky hap duhet të ndërmerret vetëm pasi të gjendet një zgjidhje me dy shtete.

Ministri i Jashtëm tha se njohja e njëanshme e shtetit palestinez “vetëm e forcon qëndrimin izraelit”.

EMISIONET