Trump kritikon ABC-në për rikthimin e Jimmy Kimmel

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump kritikoi dje rikthimin e moderatorit dhe komedianit, Jimmy Kimmel në transmetuesin ABC duke lënë të nënkuptohej për veprime të mundshme ligjore kundër rrjetit televiziv.
“Nuk mund ta besoj që “ABC Fake News” e ktheu në punë Jimmy Kimmel”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Ai e akuzoi moderatorin se ishte “krahu” i Demokratëve dhe e quajti atë “një kontribut të paligjshëm të fushatës, pa dhënë prova”.
“Mendoj se do ta testojmë ABC-në për këtë”, shkroi Trump.
Ai shtoi se herën e fundit që e paditi rrjetin, ai i kishte paguar miliona dollarë dhe sugjeroi se situata aktuale dukej se mund të ishte edhe më fitimprurëse.
Javën e kaluar, ABC pezulloi emisionin e Kimmel – pas komenteve të tij në lidhje me sulmin fatal ndaj aktivistit konservator Charlie Kirk, në fillim të shtatorit.
Në emisionin e tij, Kimmel sugjeroi se personi i dyshuar i armatosur, Tyler Robinson, mund të kishte pasur lidhje me lëvizjen “Make America Great Again” (MAGA) të Trump.
Trump e mirepriti pezullimin e tij duke e quajtur atë një “lajm të shkëlqyer për Amerikën” dhe u bëri thirrje rrjeteve televizive të hiqnin edhe prezantues të tjerë, përfshirë Seth Meyers dhe Jimmy Fallon, të cilët shpesh e kanë ironizuar republikanin, duke përdorur shaka komike për të ekspozuar gënjeshtrat politike.
Ndërsa Kimmel pritet të kthehet në ABC, jo të gjitha stacionet lokale të lidhura me rrjetin amerikan ranë dakord të transmetojnë shfaqjen e tij në mbrëmje vonë.
Incidenti ka shkaktuar debat në SHBA mbi mënyrën se si është diskutuar vdekja e Kirk.
Pikëpamjet e tij konservatore ishin shumë përçarëse dhe kritikët thonë se kërcënimet e administratës Trump për të vepruar kundër komentatorëve pasqyrojnë një erozion të lirive të shtypit dhe të fjalës.


