Tragjedi/ Autobusi me nxënës del nga rruga, humbin jetën 21 persona

Një aksident tragjik rrugor ka tronditur Ugandën, ku të paktën 21 persona, mes tyre 20 nxënës dhe drejtori i një shkolle, kanë humbur jetën pasi autobusi me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe u përmbys.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes në zonën e Kapchorwa, ndërsa nxënësit e shkollës King David Junior School po ktheheshin nga një ekskursion mësimor në zonën turistike të ujëvarave Sipi Falls.
Sipas policisë, hetimet paraprake tregojnë se autobusi pësoi një defekt mekanik në kodrën Chekwatit, një segment rrugor i njohur për aksidente të shumta. Shoferi humbi kontrollin e mjetit, i cili doli nga rruga, u përplas me një shkëmb dhe më pas u përmbys.
Ministri i Pushtetit Lokal, Balaam Ateenyi Barugahara, konfirmoi se mes viktimave ndodhet edhe themeluesi dhe drejtori i shkollës, Tadeo Ssekade.
Përveç viktimave, dhjetëra persona të tjerë, përfshirë mësues dhe punonjës të shkollës, mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital për trajtim mjekësor.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë autobusin të shkatërruar, ndërsa banorët e zonës dhe ekipet e emergjencës punuan për të nxjerrë të mbijetuarit nga mjeti.
Uganda përballet prej vitesh me një numër të lartë aksidentesh rrugore. Autoritetet i atribuojnë shumicën e tyre shpejtësisë së lartë, automjeteve të amortizuara dhe gjendjes së dobët të rrugëve.
Aksidenti i fundit ka rikthyer në qendër të vëmendjes shqetësimet për sigurinë e transportit të nxënësve, pasi javët e fundit vendi ka regjistruar disa aksidente të rënda me autobusë shkollorë.


