Skandali "McGonigal", nesër nis hetimi nga Kongresi i SHBA, ligjvënësja: Do i shkojmë në fund!
Komisioni i posaçëm i Kongresit amerikan, i ngritur për të hetuar përdorimin e agjencive qeveritare si armë politike, do të zhvillojë nesër seancën e parë.
Anëtarja e këtij komisioni, ligjvënësja republikane Elise Stefanik tha për Breitbart se seanca e parë e komisionit për të çrrënjosur përdorimin e agjencive federale si armë kundër kundërshtarëve politikë do zhvillohet të enjten dhe do të vendosë bazat për seancat e ardhshme.
Stefanik tha se kjo ngjarje do ët krijojë terrenin që republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të zbulojnë, ekspozojnë dhe t’i japin fund paragjykimeve politike brenda qeverisë federale, që kanë pasur shpesh për objektiv të djathtët.
“Kjo seancë e parë do të jetë kritike për të hedhur bazat për të çrrënjosur armatosjen e gjatë politike të ngulitur në qeverinë federale kundër popullit amerikan,” tha ajo.
Stefanik është pjesë e komisionit të kryesuar nga republikani Jim Jordan. Komisioni do të luftojë partizanshmërinë e agjencive të tilla si FBI, CIA apo NIH. Po ashu do të luftohet edhe korrupsioni dhe abuzimi në të gjitha aspektet te agjencitë federale.
‘Censura partizane e FBI-së shkel të drejtat dhe liritë civile të Amendamentit të Parë dhe përdorimi i kësaj agjencie si armë politike do të ekspozohet nga ky komision duke nisur që nga kjo javë”, tha ajo.
“Përgjegjësia po vjen, dhe ne do i shkojmë deri në fund kësaj dhe do të nxjerrim në dritë të vërtetën dhe llogaridhënien në emër të patriotëve amerikanë që janë shënjestruar padrejtësisht nga agjencitë e korruptuara qeveritare”.
Sipas Breitbart, ajo i referohet sidomos rastit të Charles McGonigal.
Ish-zyrtari i lartë i FBI-së ka qenë agjent special në divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork. Në janar, ai u padit nga Departamenti i Drejtësisë për pastrim parash.
Kujtojmë se McGonigal akuzohet se ka punuar në fshehtësi për llogari të qeverisë shqiptare, të drejtuar nga Edi Rama.
Komisioni i posaçëm i Kongresit ka kërkuar për llogari të hetimit të gjithë të dhënat për aferën e McGonigal, duke nisur që nga dokumentet dhe deri te komunikimet e tij. Po ashtu ata kanë kërkuar edhe praktikën hetimore të FBI ndaj tij.