Shtypje ndaj grave në Afganistan, OKB: Të hiqen kufizimet e ashpra ndaj gjinisë femërore
Në ditën ndërkombëtare të Gruas, misioni i OKB-së ka shprehur alarmin se të drejtat e grave në Afganistan mbeten më represivet në botë. Ata i kërkuan autoriteteve atje, të tregohen më të kujdesshëm dhe të respektojnë të drejtat themelore të njeriut

Misioni i OKB-së u kërkoi udhëheqësve të Afganistanit të heqin kufizimet e ashpra ndaj popullatës së gjinisë femërore. Sipas një deklarate të publikuar nga misioni i OKB-së në Afganistan më 8 mars, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, talibanët vijojnë të ushtrojnë regjimin më represiv ndaj grave në shkallë botërore.
Pas tërheqjes së trupave amerikane dhe të NATO-s në gusht të vitit 2021, kur grupi radikal mori përsëri kontrollin e kombit të shkatërruar nga lufta, ata premtuan se do të mbështesnin të drejtat e minoriteteve dhe grave.
Megjithatë, talibanët kanë vendosur një qëndrim të ashpër, duke shtypur më tej të drejtat e tyre dhe duke kufizuar liritë, madje edhe ndalimin e arsimimit të vajzave pas klasës së gjashtë.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës shkalla e punësimit për gratë afgane ka rënë me 25 për qind që kur talibanët rimorën pushtetin.
organizatat e ndihmës dhe grupeve humanitare, thonë se më shumë se gjysma e 38 milionë banorëve të Afganistanit vuajnë nga uria, ku fëmijët janë më të rrezikuar nga mungesa e ushqimit bazë për ta.
"Të drejtat e grave dhe vajzave duhet të rikthehen menjëherë në mënyrë që të ndërtohet një Afganistan gjithëpërfshirës, paqësor dhe shpresëdhënës", thuhet në deklaratën e UNAMAs
Sipas AFP-së, më 8 mars, 20 gra organizuan një demonstratë të pazakontë në Kabul, duke u kërkuar shteteve ndërkombëtare të ndërhyjnë dhe të garantojë mbrojtjen e afganëve.
