Relatorja e Kombeve të Bashkuara në Parlamentin Italian: Izraeli ka kaluar nga pushtimi në gjenocid me ndihmën e sektorit privat

Relatorja e Kombeve të Bashkuara në Parlamentin Italian: Izraeli ka

“Nga ekonomia e pushtimit tek ekonomia e gjenocidit”

Romë, 29 Korrik 2025 – Relatorja speciale e Kombeve të Bashkuara për Territoret e pushtuara Palestineze, Francesca Albanese, ka prezantuar  zyrtarisht në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian raportin e saj më të fundit me titull “Nga ekonomia e pushtimit në ekonominë e gjenocidit”, një dokument prej 39 faqesh që është rezultat i mbi gjashtë muajsh hetim intensiv.

Në këtë raport, Albanese ngre akuza të rënda ndaj disa prej korporatave më të mëdha teknologjike në botë, përfshirë Microsoft, Google, Amazon, Airbnb dhe Booking.com, të cilat – sipas saj – kanë ofruar mbështetje aktive në infrastrukturë, teknologji dhe logjistikë për operacionet ushtarake dhe pushtuese të Izraelit në territoret palestineze. Ajo shpjegon se këto kompani kanë kontribuar në shndërrimin e një ekonomie të bazuar në pushtim në një ekonomi të gjenocidit.

“Për 60 vjet, Izraeli ka përdorur sektorin privat për të dëbuar palestinezët dhe për të marrë kontrollin mbi tokat e tyre. Kushdo që ka bërë biznes në territoret palestineze të pushtuara, e ka bërë atë përmes Izraelit. Kështu është normalizuar pushtimi,” tha Albanese gjatë prezantimit të raportit në sallën e Cenakolit në Parlamentin Italian.

Një prej gjetjeve më tronditëse të raportit është rritja e trefishtë e vlerës së bursës së Tel Avivit nga tetori 2023 deri në maj 2025 – një shenjë, sipas Albaneses, se “gjenocidi ndaj palestinezëve është bërë një biznes i matshëm”. Ajo shtoi: “Ajo që mban gjallë mosndëshkimin e Tel Avivit nuk është vetëm ideologjia, por edhe fitimet marramendëse të shumë kompanive.”

Albanese ka vënë në shënjestër jo vetëm sektorin privat, por edhe përgjegjësinë shtetërore, përfshirë edhe qeverinë italiane. “Italia jo vetëm që nuk ka përmbushur detyrimet për parandalimin e gjenocidit, por ka vazhduar të furnizojë Izraelin me armë dhe mbështetje politike,” u shpreh ajo me ton të ashpër, duke shtuar se e shqetëson heshtja e autoriteteve italiane përballë sanksioneve individuale që SHBA i ka vendosur ndaj saj pas publikimit të raportit.

Sipas dokumentit, korporata të mëdha si Volvo, Hyundai dhe Caterpillar kanë luajtur një rol të drejtpërdrejtë në shkatërrimin e infrastrukturës palestineze, përmes pajisjeve të ndërtimit që përdoren për rrënimin e ndërtesave në Gaza. Ndërkohë, Big Tech si Google, Amazon dhe Microsoft janë akuzuar për ofrimin e teknologjisë për mbikëqyrjen biometrike dhe ndihmën në identifikimin e objektivave për sulme ushtarake.

Raporti denoncon gjithashtu platformat e turizmit si Airbnb dhe Booking.com, që promovojnë dhe ofrojnë akomodim në vendbanimet ilegale izraelite, duke përjashtuar palestinezët dhe duke legjitimuar kolonizimin. Mes viteve 2018 dhe 2023, numri i ofertave të Booking në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor është më shumë se dyfishuar.

Në fund të prezantimit, Albanese njoftoi nisjen e një hetimi të ri për rolin e medias perëndimore në fshehjen e fakteve dhe në përhapjen e narrativës zyrtare të Izraelit. “Censura dhe vetëcensura në mediat italiane janë shqetësuese. Ndërsa në Gaza vdisnin qindra gazetarë, mediat perëndimore zgjodhën të heshtnin.”

Francesca Albanese përfundoi fjalën e saj me një thirrje të drejtpërdrejtë për sanksionimin e kompanive dhe institucioneve që përfitojnë nga shkeljet e të drejtave të njeriut dhe nga një gjenocid që, sipas saj, po ndodh para syve të botës.

Ky raport ngre sfida të mëdha për politikën e jashtme italiane, që ndodhet sot përballë pyetjes thelbësore: a do të vazhdojë Roma të mbajë një qëndrim të heshtur ndaj akuzave serioze për gjenocid dhe shkelje masive të të drejtave të njeriut, apo do të rishikojë pozicionin e saj në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?

Një ditë më parë, 43 diplomatë italianë, ish ambasadorë e përfaqësues të Italisë në vende të ndryshme e në organizata botërore i dotëzuarn Kryeministres Italiane një letër të firmosur nga ata me kërkesën e ndryshimit të politikës së italiane ndaj Izraelit e njohjen e shtetit të Palestinës.

EMISIONET