Projekti më i madh historik i BE-së për Italinë. Sukses apo dështim? Në prag të afatit përfundimtar, ekspertët bëjnë bilancin (intervista)
Italia ka përfituar 166 miliardë euro nga 194,4 miliardë të planifikuara. Por pak muaj para mbylljes së programit, mbeten ende 159 objektiva për t'u përmbushur.
Pesë vjet pas nisjes së Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Reziliencës (PNRR), Italia ndodhet përballë provës përfundimtare. Programi më i madh i financuar ndonjëherë nga Bashkimi Evropian për vendin duhet të mbyllet në vitin 2026, ndërsa debati mbi rezultatet e tij mbetet i hapur.
Qeveria italiane flet për një performancë pozitive dhe për arritjen e objektivave kryesore. Nga ana tjetër, organizata të pavarura si Openpolis dhe raportet e Gjykatës së Auditit të Italisë evidentojnë vonesa, rishikime të vazhdueshme dhe vështirësi në zbatimin e shumë projekteve.
PNRR është pjesë e programit evropian Next Generation EU, i krijuar në vitin 2020 pas pandemisë së Covid-19 për të ndihmuar ekonomitë evropiane të rimëkëmbeshin. Italia është përfituesja më e madhe e këtij fondi, me 194,4 miliardë euro në dispozicion.
Deri më sot, Roma ka marrë rreth 166 miliardë euro, ndërsa mbeten ende dhjetëra objektiva dhe afate për t'u përmbushur.
Afatet kohore të PNRR
Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes dhe Reziliencës (PNRR) u nis në vitin 2021 dhe përfshin një periudhë zbatimi që shtrihet deri në vitin 2026. Gjatë kësaj kohe, Italia po merr në mënyrë progresive fondet e Bashkimit Evropian dhe po zbaton reformat dhe projektet e parashikuara.
Afati kryesor për përfundimin e projekteve është qershori i vitit 2026, ndërsa gjatë gjithë vitit 2026 pritet të kryhen edhe procedurat administrative për mbylljen përfundimtare dhe pagesat e fundit të programit.
Në fund të këtij cikli, PNRR konsiderohet i mbyllur dhe Italia duhet të ketë realizuar plotësisht reformat dhe investimet e parashikuara, në mënyrë që të përfitojë të gjitha fondet e akorduara nga Bashkimi Evropian.
Tetë rishikime në pesë vjet
Në Palazzo Chigi është miratuar një tjetër rishikim teknik i planit, me një rimodulim prej rreth 2 miliardë eurosh. Sipas Openpolis, ky përbën praktikisht rishikimin e tetë të PNRR-së që nga nisja e tij.
Ministri për PNRR-në, Tommaso Foti, e konsideron ecurinë e planit një “performancë të mirë”, duke argumentuar se Italia ka arritur të sigurojë pjesën më të madhe të fondeve evropiane.
Megjithatë, sipas Openpolis, mungesa e transparencës së plotë të të dhënave dhe ndryshimet e vazhdueshme e bëjnë të vështirë një vlerësim përfundimtar të suksesit apo dështimit të planit.
Intervista me Luca Dal Poggetto: “PNRR nuk u mendua për politikat migratore të sigurisë”
Në një intervistë për gazetaren Alba Kepi, analisti i Openpolis, Luca Dal Poggetto, nënvizoi se PNRR nuk është hartuar nga qeveria aktuale e Giorgia Melonit.
“Duhet ta themi menjëherë: ky plan nuk është menduar nga qeveria Meloni. Ekzekutivi aktual e ka trashëguar një plan që ishte konceptuar më shumë për përfshirje sociale sesa për politika migratore kufizuese.”
Sipas tij, PNRR është ndërtuar mbi logjikën e integrimit dhe përfshirjes sociale, jo mbi masa sigurie në politikën e emigracionit.
Projekti kundër kaporalatos: një objektiv i reduktuar
Një nga projektet më të rëndësishme të PNRR-së kishte të bënte me luftën kundër kaporalatos në bujqësi dhe përmirësimin e kushteve të punëtorëve sezonalë.
Investimi parashikonte mbi 200 milionë euro për çmontimin e vendbanimeve informale, përmirësimin e kushteve të strehimit, forcimin e kontrollit të punës në bujqësi
Sipas Dal Poggettos:
“Për shkak të problemeve në zbatim dhe vështirësive në terren, nga më shumë se 30 iniciativa fillestare kanë mbetur aktive vetëm 13.”
Investimet për përfshirjen sociale
Një tjetër komponent i rëndësishëm janë “Stazioni di Posta”, qendra për personat pa strehë.
Këto struktura ofrojnë trehim të përkohshëm, shërbime higjienike, asistencë sociale, mbështetje për riintegrim
Investimi në këtë sektor arrin rreth 450 milionë euro dhe përfaqëson filozofinë sociale të planit.
Kampet e emigrantëve në Shqipëri nuk lidhen me PNRR
Një nga sqarimet më të rëndësishme të intervistës lidhet me qendrat e emigrantëve të ngritura nga Italia në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër.
“PNRR nuk merret me qendrat e riatdhesimit apo politikat e refuzimit. Është një plan i ndërtuar mbi përfshirjen sociale.”
Sipas tij, këto struktura nuk financohen nga PNRR, por nga buxheti kombëtar italian në kuadër të marrëveshjes Itali–Shqipëri.
Alarmi i Gjykatës së Auditit të Italisë
Raporti i fundit i Gjykatës së Auditit të Italisë tregon se mbi 96 mijë projekte janë në kompetencën e rajoneve, komunave dhe institucioneve lokale.
Vlera totale arrin rreth 60,8 miliardë euro, nga të cilat 47,5 miliardë euro financohen nga PNRR.
Sipas raportit rreth dy të tretat e projekteve nuk janë përfunduar, problemet kryesore lidhen me mungesën e personelit teknik, ka vështirësi të koordinimit mes qeverisë qendrore dhe autoriteteve lokal.
Bilanci mbetet i hapur
Pesë vjet pas nisjes, PNRR mbetet projekti më i madh ekonomik dhe administrativ i Italisë moderne.
Nga njëra anë janë miliarda euro të investuara dhe mijëra projekte të nisura. Nga ana tjetër janë vonesat, rishikimet e shumta dhe objektivat ende të papërmbushura.
Siç thekson Luca Dal Poggetto, vetëm pas vitit 2026 do të jetë e mundur të vlerësohet realisht nëse PNRR ka qenë një sukses historik apo një mundësi e humbur pjesërisht për Italinë.

