Papa Leone XIV viziton Ishujt Kanarie, vëmendja te trajtimi i emigrantëve

Papa Leone XIV viziton Ishujt Kanarie, vëmendja te trajtimi i

Vizita e Papa Leone XIV në Ishujt Kanarie të Spanjës, këtë javë pritet të sjellë në qendër të vëmendjes trajtimin e emigrantëve, në një rajon që prej vitesh përballet me flukse të larta migratore nga Afrika dhe Amerika Latine, raportoi “Reuters”.

Në vizitën e parë të një pape në arkipelag, që nis nesër, Papa Leone do të vizitojë portin e Arguineguin në ishullin Gran Kanaria, një vend që në vitin 2020 u kritikua për kushtet e rënda të pritjes së emigrantëve, ku rreth 1 000 persona mbetën të bllokuar, në zonën portuale dhe mijëra të tjerë flinin në ambiente të hapura.

Të premten, Ati i Shenjtë do të vizitojë një qendër emigrantësh në Tenerife, dhe do të takohet me më shumë se 1 000 emigrantë, përfshirë persona që i mbijetuan udhëtimit të rrezikshëm me varka nga Afrika.

Ipeshkvi i Ishujve Kanarie, Jose Mazuelos, tha se vizita e papës mund ta shndërrojë “portin e turpit” në një “port shprese”, duke nxitur një qasje më humane ndaj migracionit dhe një rol më aktiv të Evropës në menaxhimin e tij.

Gjatë një ndalese dje në Madrid, Papa Leone deklaroi se mungesa e mbështetjes për emigrantët në botë, po sfidon “themelet etike të rendit ndërkombëtar”.

Sipas të dhënave zyrtare, Ishujt Kanarie pritën një rekord prej 46 843 emigrantësh të parregullt në vitin 2024, krahasuar me më pak se 1 000 në vitin 2015.

Megjithëse mbërritjet ranë me 60% gjatë vitit 2025, pas marrëveshjeve të Spanjës me vende si Mauritania, për forcimin e kontrolleve kufitare, rruga atlantike mbetet një nga më vdekjeprurëset në botë.

Organizata joqeveritare “Caminando Fronteras” vlerëson se më shumë se 3 000 persona humbën jetën në vitin 2025, duke u përpjekur të arrinin në Ishujt Kanarie.

Prifti Darwin Rivas, i cili ndihmon ekipet e emergjencës në ishullin El Hierro, tha se vizita e papës mund të zhvendosë fokusin, nga kontrolli kufitar drejt mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.

Ndryshe nga pjesa më e madhe e Evropës, Spanja ka ndjekur një politikë më të hapur ndaj emigrantëve, duke miratuar një program për legalizimin e më shumë se gjysmë milioni personash pa dokumente.

Megjithatë, proceset e legalizimit vazhdojnë të jenë të ngadalta dhe shumë emigrantë mbeten për muaj apo vite, në pritje të statusit të tyre ligjor.

EMISIONET