Von der Leyen: BE zgjeron sanksionet ndaj Rusisë përmes goditjes së kripto-platformave

Von der Leyen: BE zgjeron sanksionet ndaj Rusisë përmes goditjes

Bashkimi Evropian ka propozuar paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë, duke synuar veçanërisht sektorin bankar, rrjetet e kriptomonedhave, industrinë e dronëve dhe tregtinë e naftës, raportoi “Reuters”.

Paketa e re parashikon vendosjen në listën e zezë të 170 individëve dhe entiteteve, përfshirë rreth 90 banka ruse, numri më i madh i institucioneve financiare të sanksionuara në një paketë të vetme, deri më tani.

Nëse miratohet, numri total i bankave ruse të goditura nga sanksionet e BE-së, do të kalojë 100, më shumë se gjysma e 213 huadhënësve rusë, të lidhur me sistemin financiar ndërkombëtar.

Bankat e përfshira, do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve, ndalimit të transaksioneve dhe kufizimeve të udhëtimit.

Propozimi do t’u paraqitet nesër ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, ndërsa miratimi kërkon unanimitetin e të 27 vendeve anëtare.

BE-ja synon t’i japë një goditje të rëndë sistemit financiar rus, duke vendosur ngrirje të aseteve, për rreth 90 banka dhe ndalime shtesë transaksionesh, për më shumë se 30 banka në Rusi dhe vende të treta.

Masa të reja ndaj kriptomonedhave

Paketa parashikon gjithashtu ndalime transaksionesh për 35 banka, katër prej tyre jashtë Rusisë, si dhe sanksione ndaj 11 platformave të kriptomonedhave që, sipas BE-së, ndihmojnë Moskën të anashkalojë kufizimet perëndimore.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se propozimi hap rrugën për masa edhe më të ashpra ndaj vendeve, që strehojnë platforma kripto, të përdorura për shmangien e sanksioneve.

Kufizime në energji dhe “flotën hije” ruse

Komisioni Evropian ka propozuar gjithashtu, ngrirjen për gjashtë muaj të kufirit maksimal të çmimit të naftës ruse, në nivelin aktual prej 44,10 dollarësh për fuçi; vendosjen në listën e zezë, të një rafinerie nafte në një vend të tretë dhe të disa tregtarëve të naftës; forcimin e kufizimeve ndaj gazit natyror të lëngshëm rus (LNG), përfshirë rishitjen e tankerëve; dhe shtimin e 30 anijeve të tjera në të ashtuquajturën “flotë hije” të Rusisë, që përdoret për transportin e energjisë jashtë regjimit të sanksioneve.

Kufizime të reja tregtare

Për herë të parë, paketa përfshin kufizime për importin e peshkut rus, si dhe masa të reja për importin dhe eksportin e lidhjeve metalike me performancë të lartë, materiale që konsiderohen kritike, për industrinë e mbrojtjes dhe atë hapësinore.

Sipas një burimi diplomatik evropian, objektivi i paketës së re, është të dobësojë më tej sistemin financiar rus, dhe të rrisë presionin ndaj Moskës për t’u angazhuar në negociata për paqe me Ukrainën. 

EMISIONET