Odessa dhe Novorossiysk nën su*m/ Go*iten dy anije tregtare në Detin e Zi

Një valë sulmesh në Detin e Zi ka vënë në alarm trafikun detar, pasi dy anije tregtare janë goditur brenda pak orësh në incidente të ndara pranë porteve të Ukrainës dhe Rusisë.
Incidenti i parë ndodhi në portin e Odessës, ku anija mallrash GOLDEN LEO, në pronësi turke dhe me flamur të Guinea-Bissau, u godit nga një sulm me raketa ndërsa ishte e ankoruar.
Anija, e cila transportonte një ngarkesë me misër, pësoi dëmtime pas shpërthimit pranë portit, duke shkaktuar edhe zjarr në bord. Sipas autoriteteve ukrainase, kapiteni i anijes mbeti i plagosur, ndërsa pesë anëtarë të ekuipazhit rezultojnë të zhdukur. Tetë marinarë u shpëtuan pa probleme.
Vetëm pak kohë më vonë, një tjetër incident u regjistrua në terminalin e Konsorciumit të Gazsjellësit Kaspik (CPC) në Novorossiysk të Rusisë. Tankeri NISSOS IOS, me flamur liberian dhe në pronësi greke, u godit nga mjete ajrore pa pilot (UAV) gjatë operacionit të ngarkimit të naftës bruto.
Sulmi shkaktoi dëme në pjesë të rëndësishme të anijes, përfshirë urën e komandimit, pajisjet e navigimit dhe sistemet mekanike. Zjarri i shkaktuar u neutralizua nga sistemet e sigurisë së anijes, ndërsa deri tani nuk raportohet për viktima, ndotje detare apo rrjedhje të ngarkesës.
Pas incidentit, tankeri u zhvendos nga rimorkiatorët në një zonë të sigurt ankorimi jashtë Novorossiysk, ndërsa vijon vlerësimi i dëmeve.
Ekspertët e sigurisë detare paralajmërojnë se këto dy sulme tregojnë përkeqësimin e situatës së sigurisë në Detin e Zi dhe u kanë bërë thirrje anijeve që operojnë në zonë të rrisin masat e mbrojtjes dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare në rast sulmesh të reja.



