Gjermania përballet me valën e emigrimit/ Mijëra qytetarë kërkojnë një të ardhme jashtë vendit

Gjermania po përballet me një valë të re emigrimi, pasi mijëra qytetarë po kërkojnë mundësi të reja jetese dhe punësimi jashtë vendit. Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë, brenda një viti më shumë se 288 mijë gjermanë janë zhvendosur jashtë shtetit.
Të dhënat e një ankete të porositur nga platforma e punës Indeed tregojnë se interesi për tregjet ndërkombëtare të punës është rritur ndjeshëm që nga viti 2020. Rreth dy të tretat e të anketuarve deklaruan se kanë menduar të punojnë jashtë Gjermanisë, ndërsa një pjesë e tyre kanë kërkuar tashmë vende pune ose kanë aplikuar në kompani jashtë vendit.
Interesi për largim është veçanërisht i lartë tek personat me të ardhura të larta. Mbi gjysma e të anketuarve me të ardhura neto familjare mbi 6 mijë euro kanë deklaruar se kanë shqyrtuar mundësinë e një karriere jashtë Gjermanisë.
Arsyet kryesore që i shtyjnë qytetarët të largohen janë mundësia për të pasur të ardhura më të larta dhe një cilësi më të mirë jetese. Shumë prej tyre përmendin gjithashtu klimën më të favorshme, barrën më të ulët fiskale dhe një sistem më të leverdishëm ekonomik.
Sipas ekspertëve, pakënaqësia me nivelin e taksave dhe kontributeve sociale është një nga faktorët kryesorë të këtij trendi. Rreth 70 për qind e të anketuarve mendojnë se barra tatimore në Gjermani është shumë e lartë dhe se puna e tyre nuk shpërblehet sa duhet.
Destinacionet më të kërkuara nga gjermanët që synojnë emigrimin janë Shtetet e Bashkuara, të ndjekura nga Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicra. Në rritje janë edhe interesat për vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, India dhe Australia.
Megjithëse Gjermania vazhdon të ketë avantazhe në siguri sociale, mbrojtje të punësimit dhe stabilitet ekonomik, ekspertët paralajmërojnë se largimi i një numri të madh punonjësish është një sinjal i pakënaqësisë me kushtet e jetesës dhe punës.
Sipas statistikave zyrtare, vitin e kaluar Gjermania regjistroi një humbje neto prej rreth 97 mijë qytetarësh, diferenca më e lartë mes emigrimit dhe rikthimit që nga viti 2017.



