Kriza SHBA-Iran përshkallëzohet/ Teherani k*rcënon mbylljen e Hormuzit, nafta kalon mbi 90 dollarë

Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po hyn në një fazë më të tensionuar, ndërsa kërcënimi për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit ka ngritur shqetësime për furnizimin global me energji.
Teherani paralajmëron se transporti i naftës dhe gazit përmes kësaj rruge do të ndalet për sa kohë vazhdojnë sulmet amerikane.
Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, është kthyer në pikën kryesore të përplasjes mes dy vendeve.
Garda Revolucionare Islamike njoftoi se asnjë ngarkesë nafte apo gazi nuk do të kalojë përmes kësaj rruge, duke paralajmëruar rreziqe për transportin ndërkombëtar.
Autoritetet iraniane raportuan gjithashtu se dy anije cisternë nafte janë goditur gjatë përpjekjes për të kaluar ngushticën, por ky informacion nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë, Irani njoftoi sulme hakmarrëse me raketa balistike ndaj disa objektivave amerikane në rajon, përfshirë pika ushtarake në Jordani, Siri dhe Kuvajt. Autoritetet kuvajtiane raportuan dëmtime në një impiant desalinizimi, pjesë e infrastrukturës civile të vendit.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara vijuan fushatën ajrore ndaj objektivave ushtarake iraniane për natën e nëntë radhazi. Sipas Komandës Qendrore amerikane, sulmet kishin në shënjestër qendra komandimi, sisteme mbrojtjeje ajrore, pajisje mbikëqyrjeje dhe infrastruktura për raketat.
Në Irakun verior, një ushtarak amerikan humbi jetën gjatë një operacioni për eliminimin e municioneve të mbetura nga një dron iranian i rrëzuar. Sipas të dhënave të publikuara, numri i ushtarëve amerikanë të vrarë që nga fillimi i konfliktit ka arritur në 17, ndërsa mbi 420 të tjerë janë plagosur.
Në planin diplomatik, Uashingtoni akuzon Teheranin se po përdor Ngushticën e Hormuzit si mjet presioni ndaj komunitetit ndërkombëtar, ndërsa mbetet i hapur për një zgjidhje përmes negociatave.
Kriza ka prekur edhe tregjet e energjisë. Nafta Brent është rritur mbi 90 dollarë për fuçi, ndërsa investitorët shqetësohen për pasojat që mund të sjellë një bllokadë e zgjatur e Hormuzit, nga ku kalon një pjesë e rëndësishme e eksporteve botërore të naftës.


