Ndotja e ajrit vret 1200 fëmijë/ Raporti i treguesve në 30 vende: Grimcat nga automjetet, elementi më i rrezikshëm
Ndotja e ajrit po shkakton vdekjen e rreth 1200 fëmijëve çdo vit në vendet e BE-së. Alarmin e ka dhënë agjencia Europiane të mjedisit e cila thekson në raportin e fundit se autoritetet duhet të marrin masa për përmirësimin e ajrit pranë shkollave. Elementi më i rrezikshëm sipas ekspertëve vjen nga automjetet.
Ndotja e ajrit shkakton më shumë se 1200 vdekje të parakohshme në vit në të gjithë Evropën dhe rrit rrezikun e sëmundjeve kronike.
Shifrat janë bërë publike nga Agjencisë Evropiane të Mjedisit, e cila theksoi se të prekur janë edhe personat nën moshën 18 vjeç.
Raporti mbi ndotjen e ajrit ka përfshirë 30 vende nga të cilat 27 janë anëtare të BE-së.
Agjencia thotë se shifra e vdekshmërisë mund të jetë më e lartë nëse në këtë studim do të ishin përfshirrë vendet kryesore industriale si Rusia, Ukraina dhe Mbretëria Bashkuar.
Ky është studimi i parë, i cili është fokusuar veçanërisht te fëmijët dhe thotë se numri i vdekjeve të parakohshme në këtë grupmoshë është i ulët në raport me totalin për popullsinë evropiane të vlerësuar nga agjencia çdo vit.
Pas këtij publikimi mbi ndotjen e ajrit autoriteteve u është kërkuar që të përqëndrohen në përmirësimin e këtij treguesi rreth shkollave dhe çerdheve, si dhe objekteve sportive dhe qendrave të transportit masiv.
Ndërkohë, 97 % e popullsisë urbane në vitin 2021 ishte e ekspozuar ndaj ajrit me përmbajtje jashtë rekomandimeve të OBSH-së.
Raporti thotë se grimcat e imëta, kryesisht nga makinat dhe kamionët të cilat mund të depërtojnë thellë në mushkëri, konsiderohen si ndotësi më i keq i ajrit, i ndjekur nga dioksidi i azotit dhe ozoni.
Cilësia e dobët e ajrit mund të "përkeqësojë gjendjet kronike si astma, e cila prek nëntë për qind të fëmijëve dhe adoleshentëve në Evropë, si dhe rrit rrezikun e disa sëmundjeve kronike në moshën madhore".
Agjencia Europiane e Mjedisit kishte nënvizuar vitin e kaluar se BE-ja me politikat e saj mjedisore, ishte në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin e saj për të reduktuar vdekjet e parakohshme me 50 për qind deri në vitin 2030.