Ndërprerja e energjisë në gadishullin Iberik nxjerr në pah dobësitë e rrjetit evropian

Ndërprerja e energjisë në gadishullin Iberik nxjerr në pah

Një ndërprerje masive e energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali këtë javë ka tronditur gadishullin Iberik dhe ka hapur një debat të gjerë mbi qëndrueshmërinë e rrjetit elektrik të Evropës në epokën e tranzicionit të gjelbër.

Ndërsa ende nuk është përcaktuar shkaku i saktë i kolapsit, incidenti ka theksuar nevojën urgjente për modernizimin dhe forcimin e rrjeteve energjetike të BE-së.

Sipas të dhënave të para, dështimi i një linje me tension të lartë mes Francës dhe Spanjës të hënën pas mesditës mendohet të ketë shkaktuar një efekt domino që ndërpreu furnizimin me energji në katër shtete: Spanjë, Portugali, Andorrë dhe pjesë të Francës.

Shoqata e kompanive të energjisë elektrike, Eurelectric, konfirmoi se sistemi spanjoll i transmetimit u shkëput nga rrjeti evropian për shkak të një defekti në lidhjen ndërkufitare 400 kV në Katalonjë.

Ndërprerja erdhi në një moment kur prodhimi nga energjia diellore mbulonte më shumë se gjysmën e kërkesës dhe Spanja po eksportonte tepricat drejt Francës.

Rënia e menjëhershme e më shumë se 10 GW energji diellore ngre pikëpyetje serioze mbi aftësinë e rrjetit për të menaxhuar ngarkesa të mëdha të energjisë së rinovueshme.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar më parë se rrjeti aktual nuk është i përshtatshëm për synimet ambicioze të BE-së për elektrifikim dhe dekarbonizim.

Me planet për të zëvendësuar automjetet me benzinë dhe kaldajat me gaz me alternativa elektrike, kërkesa do të rritet ndjeshëm.

Komisioni pritet të publikojë një paketë të re legjislative për rrjetet energjetike deri në fund të vitit, ndërsa vlerëson se ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme mund të kushtojë rreth 584 miliardë euro.

Ekspertët vënë në dukje se izolimi relativ i Spanjës nga rrjeti evropian, me vetëm një linjë të fuqishme ndërkufitare me Francën, ka luajtur një rol në shkallën e ndërprerjes.

Pavarësisht ndërtimit të një lidhjeje të re nën Gjirin e Biskajës që pritet të përfundojë në 2028, Spanja është ende larg objektivit të BE-së për të patur kapacitete të ndërlidhjes së barabarta me 15% të kapacitetit të brendshëm të prodhimit.

Kritikët, përfshirë profesorin Ronnie Belmans nga KU Leuven, theksojnë se planifikimi aktual i rrjetit në Evropë është i fragmentuar dhe vuan nga konflikte interesash, pasi mbështetet mbi OST-të kombëtare.

Ai sugjeron krijimin e një operatori të pavarur transnacional nën autoritetin e BE-së për të koordinuar zhvillimin e rrjetit përtej kufijve kombëtarë.

Incidenti i kësaj jave vjen në një kohë të tensionuar për Evropën, që synon të shkëputet nga burimet fosile ruse deri në vitin 2027. Ndërsa energjia diellore dhe ajo me erë janë në rritje, pa rrjet të fortë dhe të integruar, potenciali i tyre do të mbetet i pazhvilluar dhe i rrezikuar nga kolapsi teknik.

Ndërsa hetimi mbi ndërprerjen vazhdon, një gjë është e qartë: rrjeti elektrik evropian ka nevojë për reforma të thella dhe investime të menjëhershme për të përballuar sfidat e së ardhmes.

EMISIONET